ARTI I MOHIMIT DHE I LARTËSIMIT
Në kulturat e avancuara të artit,
ndoshta kjo temë as që do të kishte ekzistuar si nocion, mirëpo fatkeqësisht te
ne kjo çështje reflekton shumë, dhe shpesh ndihet domosdoshmëri edhe për
trajtim, fatkeqësisht. Koncepti mohim, sikur na kthen në një të kaluar dhe na
përafron me fjalën diferencim dhe në sistemet e shkuara, gjithmonë ishte pikë e
zezë për një shoqëri. Dhe, mendoj se këto dy terme, sikur ecin drejt një
qëllimi por me shprehje tjera. Të mohosh
punën tënde, apo artin tënd, është çështje personale dhe e drejtë jotja si në
aspekti juridik, edhe atë moral, por që rrallë ose hiç s‘e kemi dëgjuar, ta
ketë bërë kush. Të mohosh punën, mundin dhe artin e tjetrit, është krim, është
e dënueshme dhe është verbëri, që për fat të keq, në hapësirat tona reflekton
me shumicë. E gjithë ko verbëri, jo që krijon huti, por prek edhe vijat e
krimit, që për fat të keq nuk ka mbrojtje ligjore por as edhe drejtësi, por
edhe po të ishte ajo, kemi aq krime në kulturë, saqë vështirë t‘u dilej në fund
papjekurive tona intelektuale dhe papërgjegjësisë së vlerësimit apo mohimit.
MOHIMI DHE LARTËSIMI SI ÇËSHTJE
INDIVIDUALE APO PROBLEM
SHOQËROR
Edhe njërën,
edhe tjetrën nëse i themi, nuk gabojmë. Edhe e para, por edhe e dyta, brenda
hapësirave tona kulturore, nuk mungon. Është një brez palaqosh i paformuar dhe
i pagdhendur intelektualësh të vetëquajtur, që sikur u konvenon kjo që po e
trajtojmë, me mendimin se vetëm kështu krijohen hapësira shpesh për vartësit e
tyre, por edhe për interesa të ngushta, duke rrëshqitur drejt artit të
lartësimit, të individëve të caktuar. Pikërisht ko e dyta që thamë, ia fut
pykat asaj të parës, për ta shpalosur dozën e dyshimit te këta mohues. Por më e
keqja, krimi i mohimit po mbetet pa u gjykuar, sepse me të s`po merret kush më
për hir të ndonjë interesi të caktuar, apo edhe heshtje intelektuale. Lindin
pyetjet: Pse jemi aq negativë kundrejt punës së tjetrit? Pse kemi alergji ndaj
veprës së njëri tjetrit? Pse kjo energji negative po dominon te ne edhe në art?
- Për të ardhur keq. Siç thashë më lart, në shoqëritë e avancuara, arti i
mohimit as që do të ekzistonte. Arti është çështje individuale dhe më së miri
di ta vlerësojë lexuesi.
Shtrohet pyetja: Nga jemi nisur për ta shtjelluar këtë temë? Shpeshherë në qarqet tona mediale, elektronike e edhe simpoziume etj. vijnë kategorizime brezash të artit, që doemos fal një papjekurie vlerësuese rrëshqasin drejtë artit të mohimit.
Këtu lindin dyshime të shumta të shijes për artin, të njohurive, të një papjekurie, të inateve personale, politike, klanore e shoqërore, dhe shumë dobësive tjera në këtë rreth. Këso refleksionesh kemi si në Tiranë, Prishtinë por edhe jashtë trojeve etnike tona ku flitet shqip dhe në mesin e mërgatës, gjithandej nëpër botë. Painformimit dhe panjohurive do t‘u falej ndoshta?! Por klasifikimeve, mohimit dhe vlerësimit, me kritere të ulëta, kurrë jo. Këso kategorizime, mohime e lartësime, kemi çdo ditë. Ka vlerësues që edhe me një poezi që ka lexuar në internet diku për filan poetin, krijon shkallën e vlerësimit apo të mohimit për të. Këtu do të kisha këshilluar, që për ta vlerësuar apo “mohuar”, duhet të paktën të keni të lexuar mbi gjysmën e krijimtarisë së një krijuesi. Na ka rënë te lexojmë edhe aso shkrime, kur këta vlerësues nuk kanë lexuar as edhe një libër nga krijues të caktuar, dhe krijojnë premisa të klasifikimit. Pra edhe këto vlerësime të papjekura, kategorizohen doemos në artin e krimit. Dhe jo gjithmonë, ajo që thuhet individualisht në biseda vlerësuese është e njëjtë me atë që bëhet publike. Më duket se, si mohimi por edhe vlerësimi, kërkon pjekuri dhe përgjegjësi serioze. Shpesh këto dy dukuri bëhen me tendencë si negative ashtu edhe pozitive për të dytën. Pas saj, pastaj po vjen hartimi i planprogrameve, po vjen propaganda, po vjen lexuesi. Dhe nga këndi i trajtesës sonë, sikur këta mohues po e mohojnë vetveten dhe po sharrojnë gjithnjë e më shumë në përbaltjen e misionit të tyre. Ndërkaq, mohimi si problem shoqëror po përhapet si një hi syve i cili më së tepërmi po dëmton vetë shoqërinë, se sa të mohuarit. Falë ndryshimit të sistemeve dhe fuqisë së këtyre mohuesve, ndryshe një pjesë e të mohuarve do ta kishte fatin si një pjesë bukur e madhe e rilindësve tanë. Por, kohët kanë ndryshuar dhe hapësirat e lirisë së përhapjes së mendimit, janë krijuar për të gjithë, që artin e tyre ta prezantojnë pa u cunguar. Më vjen shumë keq për krijuesit e rinj, të cilët duhet të kalojnë nëpër shumë këto sfida, por do t‘i këshilloja të jenë të vendosur dhe të kujdesshëm në hapat e tyre në rrugën e artit. Ndoshta folëm shumë për artin e mohimit, duke e lënë anash atë të lartësimit. Kjo e dyta si një fenomen më vete, sikur po e ndjek atë të parën, por fatkeqësisht herë herë me premisa interesi. Janë evidente në shoqërinë tonë këto fenomene, dhe shpeshherë nëpër esetë tona si: Kritikët dhe “Kritikët”, por edhe në tema tjera, kemi trajtuar këto fenomene. Kohës do t‘i mbijetojnë poetët!

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen