Freitag, 21. Februar 2025


Prenda Sejdia

Recension


Gëzim Ajgeraj: STUDENTET , Roman

 

Tek udhëton në botën e gjerë të krijimtarisë së Gëzim Ajgeraj, ndesh në eksplorimin që i bën botës reale që na rrethon dhe e këndvështrimit që përcjell çështje të vëna në trinomin psikofilozofi e letërsi, që për mua e lehtëson kritikën letrare, pasi i përmbledh elaborimet. Kur kjo ide të ngacmon, atëherë mënyra e leximit merr tjetër formë. Në aspektin e fokusimit dhe specifikat e përjetimit, Ajgeraj i qaset këtij lloji letrar, duke ecur nëpër terrenin e pasosur të këtij lloj sfondi, ku përjeton, jo vetëm, aktualitetin, por një gërshetim mes së sotmes dhe së djeshmes. Sjell në mënyrë permanente edhe përjetimet e së djeshmes apo hijezimet shoqëruese, duke aktivizuar gjithë potencialin kultivues të tij. Ky krijues i dëshmuar në rangje të larta të letërsisë bashkëkohore e kamufluar kjo ndër dekada tek ky personalitet i letërsisë shqipe.

     Natyrshëm rafinon rrjedhën e drejtpërdrejtë të burimit, duke e kthyer në përzgjedhje atraktive për lexuesin e gjerë.

     Ndërtimi i romanit: “STUDENTET”, me ndërhyrjen që i bën përmes personazheve realë, përbën një autencitet nga bagazhi i autorit për perceptimet që shfaqen në këndvështrime të ndryshme, gjithashtu, edhe problemet e ndryshme që inkorporohen me eksperiencat e mëparshme. Sigurisht se në strukturën e këtij romani ka larmi bisedash e tematikë, ku na ngacmon imagjinatën për të na ofruar me leximin. Ky fakt na bën më të ndjeshëm ndaj situatës, ku gjendet, jo vetëm letërsia, por edhe ne si shoqëri në tërësi, vijnë si një lloj shfryrje në raport me kohën, por edhe si protestë që i kundërvihet kohës.

    Gëzim Ajgeraj ka krijuar gjithë terrenin e nevojshëm infrastrukturor për të shpalosur personazhet në roman dhe gjithë kapacitetin e tyre mendor dhe intelektual në pikëpamjen e tyre mbi aktualen, që ndodh në atdhe, por edhe letërsinë në gjithë aspektet e saj. Edhe në pikën më të nxehtë, që në këto dekada populli shqiptar i përjetoi padrejtësisht: politizimi i popullsisë, liria e fjalës e në rastin më fatal, mohimi i kësaj të drejte.

Çdo kapitull në këtë roman i ndarë në 18 cikle kanë rëndësi të veçantë leximi.

     Në historinë e këtij romani, që ngjall mjaft kureshtje që nga kapitulli në kapitull për hir të cilësisë së lartë të informacionit dhe përmbajtjes, ka disa personazhe, të cilët shprehin pozitivistet: Shpendi, Blendi, Blerimi, Drini, Era, Vjollca, Drita e Loni.

     Ky grup studentësh shqiptarë, që studionin në perëndim formoheshin mes kulturave të ndryshme perëndimore, ku për shkak të formimit që kishin lehtësisht bënin edhe dallimet mes vendit të tyre në atdhe dhe vendit, ku studionin. Prandaj, vinin në dukje mangësitë dhe zhvillimet demokratike apo demagogjitë dhe me ndjenjë shprehnin ëndrrat njerëzore e, gjithashtu, bën që dhe lexuesi ta bartë botën e brendshme njerëzore, ku bindshëm arrin idetë, motivet e frymëzimet, ku e gjen autorin kurdoherë me penë në dorë, pasi potenciali krijues e fuqia e fjalës premton shumë, ndaj, e shfrytëzon atë në talent.

     Bashkëbisedimi i studentëve në kohë të lirë ishte, kryesisht, mbi letërsinë dhe artin apo edhe krijimet e tyre, ku dukshëm vjen në roman pjekuria e tyre letrare dhe akceptimi që i bëhej letërsisë në tërësi, duke e shpërfytyruar atë në pikat më kritike, sidomos në rastet më pikante kur ndodh që, letërsia, kthehet në binom të politikës.

     Ky definicion i tyre, zë fill në vendet përcaktuese me një finese që të mrekullon pasi janë koshientë se një dukuri e tillë është skandali që i bëhet letërsisë mbi ingranazhet sistemore të dyllosura me rrëshirën e servilizmit, hipokrizisë dhe përulësisë dhe ndikimi që pason në të gjitha aspektet e shoqërisë njerëzore.

     Megjithëse, shkrimtari me penën e tij i sjell si fryt dhe virtyt i një shembulli të shëndetshëm që mund ta shërojë kohën dhe shfrytëzon itinerarin e pasqyrimit të vlerës së mirëfilltë, duke ruajtur brenda saj atë koncept të veçantë për terezinë e rrjedhave  shoqërore e jetësore në kohë e hapësira të caktuara, si dhe marrëdhëniet që i japin një koherencë njëra- tjetrës, që nuk janë pjesë a çështje formale, por përmbajtësisht një sens i etikës së lartë ndërnjerëzore. Ndaj, pena e autorit sjell gjithë shpirtin e tij krijues në intensitetin e duhur në një infrastrukturë të njohur dhe të përshtatshme.

     Pra, Gëzim Ajgeraj gjendet brenda një ambienti  të eksploruar plot ngjyra, ku e gjithë peizazhi duket aq mahnitës, por edhe një reliev që sado i thepisur, i njeh gjithë shtigjet, duke pasqyruar ideo - tematikën e këtij romani plot brendi, krejt materia kompozicionohet tejet filozofike ndaj dhe porosit:

     “Duhet t’u ndalet hovi njëherë e përgjithmonë prirjeve të liga, sepse mbi të gjitha po e pëson letërsia, duke ju shkuar shumë thellë çështjeve e duke i zhveshur ato deri në palcë”.

     Kjo tematikë, që kategorikisht rëndon letërsinë edhe qarqet e ndryshme politike apo institucionale. Pra, një pikë tejet e vjetër në kohë të shkuar apo edhe në të tashmen, pasi, sipas autorit aktiviteti politik ka përfunduar me fundin e luftës, ndaj sjell si vendosmëri për t’ju përkushtuar vetëm letërsisë për t’i thënë stop aktivitetit politik.

      Ndaj kjo mua më ka bërë shumë përshtypje.

     Ajgeraj thotë: “Dorën në zemër për atdhetarë, që janë vënë në shërbim të politikës për të mirën e vendit, ndërsa tek unë vërtet ashtu ka ndodhur dhe ky vendim ka qenë i hershëm”.

     Në faqet e këtij romani, në formë shumë filozofike trajtohet çështja me drejtim të orientuar të shkrimtarit, por edhe për rëndësinë dhe të veçantën e çështjes, kur në raste të shumta fakti qe kaplimi i një mendjengushtësie parciale, që automatikisht më shumë flet politika se letërsia.

     Ndaj, tek letrari kurrë nuk duhet të dominojë virusi i bindjeve parciali që janë sot në politikën tonë. Ky fenomen i bën të neveritshëm për lexuesin e shëndoshë që kërkon letërsi të pastër.

Por, te ky roman akoma i shkohet më tej mbi letërsinë dhe formimin e atyre që sot përpiqen të bëjnë letërsi, duke vënë në dukje fenomenet e shpeshta kur njerëz që kurrë një varg s’e kanë krijuar dhe kthehen në vlerësues të letërsisë. Apo akoma thellohet skandali, kur vlerë quhet antivlera në letërsi dhe kështu që çështja djallëzohet brenda djallëzisë, shprehet autori.

     Kur një shkrimtar mendon se mund të rrezatojë autoritet moral edhe në politikë, ndodh që ai i shërben vetëm një klani të caktuar, ku përfundon brenda atij rrethi vicioz apo klani që i shërben.

     Dikur shkrimtari ishte shkrimtar i oborreve, i politikës centraliste, që i ka diktuar fushat e lirisë së veprimit, ku tashmë kjo fushë është parcializuar brenda planit të caktuar të klaneve, të cilat i diktojnë e censurohet ai që nuk përkëdhel partinë në pushtet, ku shkrimtarët e lirë anashkalohen.

     Me penën e hollë shkrimtari sjell kundërshtimin kategorik. Gjithashtu, shkrimtari i mirëfilltë nuk nënshtrohet programeve partiake, pasi e kundërta sjell vdekje në raport me interesat e letërsisë kombëtare.

     Liria dhe vizioni i Gëzim Ajgeraj shtrihet shumë larg interesave të ngushta apo partiake, pasi realisht, dekadat treguan për këtë uragan të Penës e letrave të letërsisë shqipe.

      Pena e tij ka përshkruar tashmë plot 175 vepra, vëllime, etj., nga të gjitha zhanret e letërsisë shqipe e më gjerë, duke sjellë majat te lexuesi.

     “Do të vazhdoj, thotë ai brenda fletëve të romanit: se do vazhdoj të ndërtoj lirinë e fjalës brenda meje, ta trasoj atë te lexuesi im, pavarësisht, koncesioneve të kohës a politikës. Kështu do ta ndërtoj lirinë e fjalës, gjë të cilën e ndërtoi në gjithë format edhe atëherë, kur libri i tij, në kohë të aparteidit arriti të prekë dhe Hagën. Eh, kohë e egër qe!

     Ndaj, Gëzim Ajgeraj, me forcën, zgjuarsinë, vullnetin, përkushtimin e aftësinë, atdhedashurinë e patriotizmin e pashoq, punoi e krijoi dhe ndërtoi përmes kohërave të errëta për të arritur në majat e letërsisë - në ditët e bardha, ku ishte një udhërrëfyes i fuqishëm e shkrimtarëve të rinj, por edhe i shoqërisë në tërësi.

     Shumëdimensionaliteti tematik, letrar e përjetëson të mishëruar brenda atij lëmi letrar në gjithësinë e tij me krijimtari të bujshme. Gjithashtu, vendi që zë në arealin e letërsisë shqipe, por edhe atë ndërkombëtar e dëshmojnë qartë.

     Si i tillë, Gëzim Ajgeraj, mbetet zëri kritik brenda letërsisë dhe mbështetur në gjithçka që shprehet në këtë roman të mrekullueshëm, por kujtojmë një thënie të të madhit Franc Kafka:

     “Faji është një qenie, brenda së cilës, ndodhen të gjithë, pavarësisht nga faji”.

    Ndaj dhe kështu që gjithsecili ka vend për përmirësim, - thotë autori.

     Autori nuk kërkon të jetë as moralizues e as satirik. Nuk ka për qëllim të përposh kësulës hokatarit, por psikologjikisht e në mënyrë figurative i drejtohet çdo pene se përndritja është në duart tuaja.

     Gjuha bën akrobacia të vërteta, por fjalitë vorbullohen, lozin symbyllurazi, thotë ai. Me kuptimin e tyre e gjuajnë njëra - tjetrën me pyetje e me romuze, përpiqen ta gabojnë shoqja- shoqen, ama një tekë e fuqishme i shtyn të hedhin valle.

I patundshëm qëndron ky humor.

    Nuk lë dot pa cekur një fenomen, që siç duket e ka shumë merak Ajgeraj dhe bëhet fjalë për pavarësinë krijuese, ku qartëson merakun mbi lirinë e mendimit dhe të drejtën e fjalës, si dhe pozitat në të cilat vihen ato.

E para, ndihmon shkrimtarin dhe fjalën e lirë, për çka edhe kanë detyrë këto institucione.

     E dyta, do të varroste për një kohë të caktuar fjalën dhe suksesin e shkrimtarit, ku këto fenomene gjejnë qasje në shumë raste.

Ai citon për kohën e brishtë që lëngon letërsia.

Në këto kohë, thotë ai, kemi pasur rënie të shkrimtarëve që i nevojiteshin shumë letërsisë. Por, edhe fenomeni i ngritjes së tepruar që i kanë vënë njolla letërsisë, si p.sh.:

    “Vargjet për sistemet, individët politikë, që ju prinë sistemeve politike në shoqëri si barrë e rëndë që njollosin letra tona, pra letërsinë”.

Duke i mohuar plotësisht këto antivlera.

      Apo siç u citua edhe më parë, duke u cekur lehtë një komision vlerësimi i paaftë, por edhe në përcjell promovimet, përzgjedhjet e antologjive, hapësirat në mjetet e informimit, shpërblimet a mjetet për botimet e librit, ku të gjitha këto fenomene përbëjnë atë kaosin mes institucionit dhe krijuesit.

Le të mbetem vertikal i kohës, thotë autori.

Krejt më mirë jashtë letërsisë se i nënshtruar.

     Vetëm kështu mund ta mbrojmë parimin e letërsisë së shëndetshme.

     Gëzim Ajgeraj është pa dyshim zë i fuqishëm e kritik, pasi shprehet se:

     “Bota shkon drejt globalizmit, ndërsa ne në sistemin praktik të organizimit kemi filluar me të madhe ta zbatojmë parcializimin”.

     Mesazhet që përcillen në mënyrë filozofike në këtë roman janë të shumta me një brendi të jashtëzakonshme, ku secili më vete bart bukurinë dhe sinqeritetin e mesazhit, si burim i pashtershëm për etjen e mendimit, ku na vijnë si porosi dhe përçohet tek secili prej nesh pasi dominon forca e argumentit.

     Ky shkrimtar i një rangu të lartë, që bën pjesë në grupin CLEAR të krijuesve, ku sjell të gjitha metodat e përballjes me realitetin. Jo më kot them se si shkrimtar i madh i kombit ka ndjekur gjurmët e Borgesit dhe parimet që ndjek, por edhe i përcjell të perceptuara deri në thellësi të tyre.

     Pra, Gëzim Ajgeraj, si shkrimtar dhe personalitet i letërsisë është në gjendje të përballet me realitetin real të së kaluarës, si dhe është në gjendje të përballet me të tashmen, ku në këtë roman ka ardhur me shprehjen klasike, ashtu siç e kërkon vetë koha.

     Tek autori idili është i pavdekshëm, si gëzim jete tek rikthehet gjithnjë siç rikthehet qielli i kaltër, pasi davariten retë, është hare e përjetshme në letërsi e art edhe mes gjithë krizave e tronditjeve shpirtërore.

Miliona mendje ndriçohen tek lexojnë krijimet e mrekullueshme në të gjitha zhanret e letërsisë.

     Duke falënderuar autorin për krijimin brilant, që na ka sjellë, i uroj shumë suksese në krijimet e radhës!

Suksese e udhë të mbarë librit!


                Lezhë, dhjetor 2023


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen