Mittwoch, 25. November 2020


















FJALA IME

 

Nuk e di nga pikoi

si shkëndijë drite

 

nga muzë e dhimbjes

e nga malli

 

shkëlqimin ta ngrita

në kupë të qiellit

 

tani m’i bën dritë

mosharrimit

udhëve të përmallimit

 

Derisa jemi bërë një

këtij parakalimi

 

    Zvicër, 2020




SHTEGTIM

 

Nga harta e mendimit

i mblodhëm udhët

një lëmsh ikjesh mbi topth

 

Askush s’ia gjeti fillin

e as fundin

kësaj zallahie udhësh

 

Mbeti etje në kërkim

myhyri i fatit

e askund s'u gjet

 

A vrapohet pas ëndrrës

si hije e tërbuar

udhëve të mashtrimit

 

mbetëm shtegtarë

o ju të uruar...!

 

       Zvicër, 2020



NËN PENTAGRAMN

E DHIMBJES

 

I shoqëruar me vetminë

Tek po e shtrydhte

Dhimbjen e shpirtit

Po i këndonte

Mallit

 

Prangat e dekadave

Të udhëve

Ia kishin burgosur

Dhimbjen në shpirt

E nën grilat e moskthimeve

Peng kish mbetur

Alpeve

 

Dhe sa herë

Zihej me vetminë

Nga dhimbja e shpirtit

Nxirrte notat e pentagramit të mallit

Dhe këngët e dhimbjes

Që i kishte ruajtur

Të paprekshme

Diku thellë

Në memoaret e shpirtit

 

Me notat e dhimbjes

I këndonte Atdheut

Tek ia flladiste

Dhimbjes plagën

 

Kush thotë

Se vaji i burrit

Nuk është kënga



FJALA E SHPIRTIT

 

Malli e kish zënë peng

E po e grinte heshtjen

Vetmisë Alpine

 

Nën një tavernë

Të bezdisshme vetmisë

Me reliktet e ruajtura

Të shpirtit

Po i thurte

Këngët e dhimbjes

 

Dekadave po zihej

Me largësitë

Dhe mallkimin

Që e thërriste harrimit

Po shpirtin e këngës

Që e ruante në gji

S`ia shkulën udhët

 

Dhimbjen e bëri këngë

E i dha flatra

Pa ia lënduar

As edhe një pupël të vetme

Reliktit të fjalës

Deri në gurrën e shpirtit

Që gurgullon shqip

 

ZOGJTË E MALIT 

 

Shtegtojnë fushave e maleve

askund s’i gjen

Orë ndalimit

 

Flatrave të purpurta 

Alpet e Sharri

Vizatojnë ylberet në mes

 

S’kanë as ku t’i lënë këngët

E as ku ta zënë strofullin

Trazuar i kanë udhët

Imazhit të ikjeve

Digjen të zjarrmishme

E s’i zë vendi

 

Strofullit të kthimeve

Ta kanë zënë diellin e së ardhmes

Vendi s’u mbeti

 

Medet për krahët e tyre

Të dërmuar arratisë

Pa zënë vend askund


GJURMËT E NJË DHIMBJEJE

 

Një gjurmë e vjetër krimi

M’i shpoi portat e llamarinta

Të një dhimbjeje që rrjedh

E ditën ma bëri

Përtej oborri

Muret e kujtimeve u skuqën

 

Përmes vrimës së vjetër

Përtej portës së hekurt

Ikën dhimbjet e moçme

E ranë të plandosura

Në mes të oborrit

Bashkë me hijen e gjyshes

 

Jashtë porte

Apokalipsi i veriut të zi

Krimit s`ia ndal dorën

Tek mbjell orë e çast

Gjurmë të zeza

 

Këtejpari ra barbari

Gjurmët më thanë




Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen