Dienstag, 22. September 2020


Namik Selmani, Shkrimtar

Trishtimi dhe gezimi pranë një “Dege të thyer”

Përsiatje rreth vëllimit poetik të autorit Gëzim Ajegraj

1.

Kur nisa të pi, të shuaj etjen e jo më pak të dehem në vargun gatim magjik të gëzimit të këtij prizrenasi- zviceran në të njëtën kohë pata dy ndjesi. Nga ato që të litarojnë fort në fyt e nuk të lëshojnë lehtë se duhen disa duar të forta , të veçanta, të mistershmeqë ta heqin. E pra, kështu ndodh kur poezia ka fabulën e Puthjes së Parë apo të Pëllëmbës së Parë që mbahen fort mirë mend në vite. Po, para kësaj ndjesie unë vendosa që të vë fshehurazi duart paksa të rrudhura në fytyrë kur, si fajtori i pafajshëm nuk po dija se këtë të bëja fajtori për kohën kur unë nuk njihja poezitë e tij . Të hyja në Odën e dritëzuar e tërë mentari të një poeti paksa të burrëruar me halle e dritë shpirti. E kur them unë, as mos më pyesni se a e njohin nxënësit e mi në vite këtë fjalë të mençur që nuk hynte dot mes gardhimit të dikurshëm e të gardhimit të sotëm që nuk dallon në përmbajtje nga i pari.Shkurt, një poet, një studiues një mik i fjalës shqipe nuk njihet në të gjithë trojet . E aspak për fajin e tij. Po të gjithë jemi fajtorë. E s’dihet se sa do mëkatojmë për këtë gjë. Ndjesa e dytë që më erdhi në këtë rrëfim vullkanor ishte riti i shkëmbimit të byrekëve mes fqinjëve në Çamëri. Gati çdo mbrëmje, fqinjët shkëmbenin mes njëri-tjerit me duart e grave gjellët më të mira që ata gatuanin. E natyrisht pjata që vinte me ëmbëlsirë, me byrek, nuk mund të kthehej bosh . JO dhe jo. Vihej diçka. E pra, kjo traditë nga më të bukurat e një kombi mund të ketë lidhje edhe me këtë “ gjellë“ që ne nuk e kemi parë. Ne nuk mund të mburremi me të gjithë të mirat e botës (si ndodh rëndom edhe sot) Po këtë kod të bukur mund ta përtërijmë sa më shumë . Unë duhet të isha pjesë e këtij Kodi edhe me Gëzimin, më këtë motiv jete që ia vlen për t’u jetuar qoftë edhe mes krismave, qoftë edhe mes udhëve që fort mirë i përshkuan poetikisht Gëzim Ajgeraj në librin “Dega e Thyer “ Pra duhet të jetosh edhe per të lexuar pak ose shumë nga 25 librat e këtij poeti të urtë në atë dallgë të madhe që ka përjetuar në jetë.

2.

Poezia e Gëzim Ajgerajt, poezia e dhimbjes dhe e identitetit tonë kombëtar. Poezia e Gëzimit ka frymë të dukshme atdhetare. Ajo është një poezi që mban në të njëjtën kohë edhe mallin edhe nostalgjinë, por edhe identitetitn. Ai e ka të qartë së shumë libra të tij i kanë në duar së pari shumë fëmijë mërgimtarësh që e duan këtë “pasaportë” identiteti shkronjor dhe letrar. Në pamje të parë ai ka varg jo të matur që në plan të parë duket paksa spontan i shkruar në lëvizje e sipër por po ta shohësh me kujdes ajo është e mbajtur fort në truallin e madh e të begatë poetik të letërsisë sonë kryesisht të poetëve të kombit tonë Azem Shkrelit të Din Mehmetit, Anton Pashku, Ali Podrimja, etj Gëzimi ka një fjalor shumë të pasur. Në të gjithë vëllimet e tij poetikë e sidomos ai “Dega e Thyer” nuk bie në grackën e mërgimit ku gjuha e poezisë bëhet shumë e rëndomtë, e varfër, aq më shumë edhe me gabime të shumta drejtshkrimore.  Madje është shumë me vlerë që ai e mbron shumë  gjuhën shqipe që sot po sulmohet nga gjuhët e huaja

Ah mik, - anija e fjalës shqipe po mbytet

në detin e fjalëve të huaja

Mik!
Më mbytën këto plagë.

Të bie në sy edhe një i folur alegorik që është shumë herë edhe një nga tiparet e rrëfimit poetik të Gëzimit Diku në poezinë “FARAONËT E PALLATEVE TË RREJSHME” ai shkruan

Me fjalorin blu

Na i flasin paqes

Nga pallatet e rrejshme shesin përralla

Gjumit tonë shekullor

Herë herë në pikë të ditës

Na e vizatojnë lirinë e ëndrrave

Tek kolltukojnë mbi lëkurën tonë

E na hedhin hi syve

 Një alegori e tillë duket edhe te poezitë me temën atdhetare ku qëndrimi i poetit është mjaft i qartë. Atdhe, Ti e njeh më mirë "mëshirën" e të ligës. Shtatit tënd të copëtuar plot plagë, shuajnë etjen. Duan të ta shuajnë emrin e zogut, copëtuar të kanë. Kujdes shkaba ime, mbërthyer të duan korbat. Në kryqin e harrimeve natyrisht gërshetimi i lirkës me epikën është një nga “sekretet ‘ e suksesit të poezisë së tij. E në të gjithë këto pamje poetike Gëzim Ajgeraj është shumë qartë për mesazhet që ai kërkon të japë. Ndoshta do të ishte mirë që të punohej edhe me titujt e poezive që sheh të përsëriten edhe ose mesazhet e tyre ndryshojnë nga njëra-tjetra. Ndoshta do të ishte shumë mirë që në ndihmë të mendimit tim të citoja edhe një mendim të bashkëkombasit të tij Ilam Berisha që ka bërë një analizë të veçantë dhe shumë serioze të krijimtarisë së tij. Ndër të tjera ai shkruan: “Është universi poetik i vargut të Ajgerajt, i cili tërheq lexuesin për ta njohur nga brenda klithmën e thyerjes së kësaj dege të kombit. Vargu fjalëpak, mbërthen në vete shumëkuptimësinë e fjalës brenda së cilës fshihet filozofia metaforike e poezisë së sotme shqipe. Ai nuk ndjek pararendës, përkundrazi krijon një stil të veçantë me një përkushtim brenda temës së mallit, që rrallëkund mund ta hasim, dhe e gjithë kjo, i ngjason maksimës: “Balta në atdhe, më ëmbël është se mjalti në dhe të huaj”. Vargut të poetit i prin një ideal i lartë, që me fanatizëm e ruan në poezinë e tij. Nëse dega e thyer është detaji i një dege që i mungon rritja, frytëzimi, do të thoja me plot gojë se poezia e Gëzim Ajgerajt është një risi në letërsinë tonë të diasporës. Për fat të keq, kjo poezi mbetet në disa sinorë të panjohur. Nuk dua të them të harresës se ajo tashmë e ka pasaportën e saj që, në mos sot, nesër do të njihet nga të gjithë të brezat. Më vjen keq që të këto vlera sot nuk qarkullojnë si duhet në të gjithë trojet me vlerat që ajo përcjell. Ekranët internetikë, në takimet që jo rrallë bëhen në qytet të ndryshme te Evropës apo edhe në Kosovë bëhet diçka e mirë. Po nuk janë të mjaftushme për ta bërë sa më të njohur këtë vlerë, për ta masivizuar atë te brezat e rinj të shteteve tona e pse jo edhe botimi i disa përmbledhjeve poetike me krijimtarinë e tyre. Këto përmbledhje mund të shpërndahen në shkollat e mesme të qyteteve shqiptare në ato të Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi do të ishte një mënyrë e mirë për njohjen e kësaj letërsie.

 

Mars, 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen