Dienstag, 22. September 2020

Gëzim Ajgeraj

ARTI SI PËRPJEKJE DHE LUFTË PËR IDE

Në fillesat e rrugës së artit kurrë nuk duhet menduar se shumëçka është thënë. Edhe nëse  themi diç s’do të duket e re për artin e fjalës apo edhe nuk ka çka të thuhet më. Kjo ide, ndoshta s’duhet të thuhet në artin e njerëzve profesionistë. Megjithatë, le të mbetet një mendim i së shkuarës fillestare, për secilin që pretendon rrugën e artit. Për secilin, rruga e artit është  tepër e lodhshme dhe e gjatë, maratonike. Ajo mbetet e shenjtë dhe tepër humane, në përpjekje dhe në luftë me kohën. 
Gjithmonë kërkon nga vetja që mos t’i bindesh asaj, por me mjeshtërinë e artit të shkrimit, ta zbusësh në vazhdimësi. Pavarësisht se herë-herë, rezistenca e saj është e tmerrshme dhe  jo bindëse. Prandaj, kërko nga vetja që të mos i nënshtrohesh, e as të të nënshtrojë, sepse atëherë, si shkrimtar, do ta ndjesh veten të humbur.
Pra, e gjithë koha përpara nesh është një metaforë në vete, që në një formë apo në një tjetër përpiqet të rezitojë deri në mosbindje. Dhe, ne me krijimtarinë tonë nëse nuk e kemi kapur atë metaforë (zbutur në artin e fjalës) përpara kësaj beteje do ndjeheshim të humbur. Por, nëse ne me krijmtarinë tonë kemi arritur ta mundim atë, t’i mbijetojmë, apo edhe ta fitojmë këtë betejë (me mbijetesën e veprës), do të thotë se ia kemi arritur qëllimit tonë përse shkruajmë. 
E gjithë kjo një përpjekje është për mbijetesë, është lufta e ideve, ajo që e mund dhe e zbut kohën. Prandaj, për çdo shkrimtar, ashtu edhe për mua, pikërisht ky nocion më bën që të ecë sigurt dhe pa- thyeshëm në rrugëtimin e artit. Vetëm lufta për ide në art është dominantja. 
Nëse brenda një vepre letrare na mungojnë mesazhet, idetë (të veshura brenda fjalës së bukur metaforë), ka shumë rrezik, që koha e brenë atë vepër e bashkë me të edhe krijuesin domosdo. 
Duhet ditur gjithmonë se faktori kohë, asnjëherë nuk është i njëjtë dhe furtunat e saj shpeshherë në historinë njerëzore janë përplasur pamshirshëm edhe mbi krijuesin. Sfidat që i ofron ajo dhe lufta me të gjithmonë ka kërkuar mjeshtëri, guxim, vendosmëri dhe ide, të cilat në të shumtën e rasteve e kanë mundur kohën. Pra, mbijetesa dhe krijimi i veprave të mira, edhe në këtë kohë fortunash, kur shtërngatat përpiqen ta vrasin pamëshirshëm jo vetëm krijuesin, por edhe fizikun e tij, kanë dalë vepra të mira, të cilat kanë arritur që t’i mbijetojnë kohës, si dhe ta mundin atë. 
Patjetër, lufta për ide nuk ka munguar, se ndryshe do ta zhbënte ajo. Jo rastësisht, por gjithmonë me vetëdije të plotë, duhet që t’u përkushtohemi rrugëve të artit letrar, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të lodhshme, e të rrezikshme herë - herë, në raport me kohën. 
Krijuesi gjithmonë, duhet të jetë i prirë se dashuria dhe shkëlqimi i dritës së artit (duke mos e ndrydhur në vetvete, por duke e nxjerrë atë brenda artit të së bukurës), të shpërndahen si një rreze dielli që ndriçon rreth tij. 
Nga përvoja, kjo ndjenjë brenda meje vjen si një mision, si një kërkesë përtej vetvetes, në sfidë me kohën, si dhe në luftën për ide te mëdha. Mendoj se në të shumtën e rasteve ia kam dalë, kur i kemi parasysh kronikat dhe kohën, nëpër të cilën kapërceu populli ynë dhe unë  si krijues. Vetëm sot, kur shikojmë prapa dhe i bëjmë autopsinë asaj kohe, do të shohim se kishim të bënim me një kohë bishë, që të kapërdinte pa- mëshirshëm, e herë - herë të mbyste edhe harrimi. Pikërisht, kjo kohë më bën të ndihem mirë sot, sepse edhe atëherë kur deshe apo s’deshe ti ose ishe i bindur e i nënshtruar, ose… Pikërisht, kjo kohë, me luftën e ideve, nuk arriti që të na mposhtë. Por, mbi të gjitha, ajo kohë u mposhtë, sepse vetë mbijetesa e qenies sonë e mposhti atë. 
Pra, duke ecur me  kohën dhe duke i analizuar veprimet tona, edhe si krijues, por mbi të gjitha edhe si popull (me përpjekjet tona në luftën e ideve të mëdha) kapërcyem këtë epokë të errët, që e përcolli  njeriun tonë. Dhe, duke analizuar brendinë e kësaj kohe, duket si një metaforë në mes, që kërkonte ide të mëdha, të cilat nuk munguan për një mbijetesë. Flas në planin e përgjithshëm, pikërisht, atëherë kur nga ne kërkohej një mobilizim i tillë, për ta kapërcyer sfidën e dhunshme - kohë. 
Ishte kjo një kohë e dhunshme dhe e dukshme, për dikë edhe shumë sfiduese. Megjithatë, ajo iku, shkoi. 
Pra, kohët te ne kanë sfida, kanë kohezionin e rezistencës dhe nevojën e luftës së faktorit njeri e mbi të gjitha edhe krijues. Bile, edhe shumë vështirë, sepse rreziku i saj është më i ashpër, të zhbënë padukshëm në këtë harbim vlerash. Nëse ti, nuk ke arritur që të krijosh ide vlerash, që do ta mundin kohën dhe do t’i mbijetojnë asaj, ajo të zhbënë verbërisht. Por, nëse ti me idetë dua  ke arritur të bëhesh dritë për kohën, që e mund errësirën e saj është shkëlqimi i dritës,  që ty të mbanë gjallë në mbijetesën - kohë.  Përmes rrugëve të artit jam përpjekur që të ecë rrugës së dritës, me synimin e shenjtë për të arritur diku. Gjithmonë jam përpjekur që ta nxjerr kohën, nga ku u nisa, për t’i bërë dritë asaj, si dhe për të ardhur deri në ditët e sotme. 
Është Vërrini im, kullat e tij, e folmja e gjysheve tona, ato që më së tepërmi më kanë frymëzuar në jetë. Gjyshja dhe babai, për mua, gjithmonë mbeten, e para, enciklopedi e fjalës së moçme shqipe dhe, e dyta mbamendësi, edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh prapa të vargjeve nga fëmijëria, që m’i recitonte për çdo ditë. 
Në autopsinë e asaj kohe, gjejmë figurat e zanafillës së dashurisë për artin, për të bukurën, për idenë. Gjithmonë kjo kohë nuk më ka lënë rehat. Ajo më ka ngacmuar sa herë që jam ndeshur me metaforën kohë, të cilën edhe si karakter, i jam vënë përballë, për ta luftuar atë, e zbutur përmes ideve. E gjithë kjo, në kuptimin rutinë, duket si një ëndërr, por që në realitet më solli këtu ku jam sot.
Duke mbështetur besimin në vetvete, në punën time, në përpjekjen e pakursyer në këtë rrugë, kam përshtypjen se koha do të dijë të flasë në favorin tonë.

                                        Zvicër, 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen