Samstag, 8. August 2026

 








Gëzim Ajgeraj

KUR DASHURIA NDAHET DHE BESIMI COPTOHET

Poligjinia dhe Poliandria - Dy fenomene që po i shkatërrojnë raportet ndërnjerëzore edhe në shoqërinë Shqiptare

Një udhëtim filozofik nëpër kufijtë e moralit, psikologjisë dhe fatit të një populli

 

"Njeriu nuk është i lirë kur thyen ligjin e zemrës së tjetrit, por vetëm kur e ndërton atë.".

 

Metafora e shtëpisë me shumë dyer

Imagjinoni një shtëpi me një derë të vetme hyrëse, por me shumë dhoma të fshehta, secila me një çelës të ndryshëm dhe me një zemër që pret pas saj. Kjo shtëpi është metafora e parë me të cilën duhet të nisim këtë ese: familja njerëzore, ajo qelizë e vogël por themelore e çdo qytetërimi, e cila prej mijëra vjetësh është përpjekur të gjejë ekuilibrin mes dëshirës, pushtetit, mbijetesës dhe dashurisë. Kur në atë shtëpi futen dyer të tjera, kur bashkëshortësia bëhet e shumëfishtë, qoftë përmes poligjinisë (një burrë me shumë gra) apo poliandrisë (një grua me shumë burra), struktura e brendshme e shtëpisë ndryshon përgjithmonë. Muret nuk shembën menjëherë, por themelet fillojnë të lëkunden.

Për mijëra vjet, filozofët e mëdhenj kanë kërkuar të kuptojnë pse njeriu, ndryshe nga shumica e specieve të tjera, e ka mbështjellë instiktin e tij riprodhues me shtresa të dendura rituali, ligji, feje dhe morali.

Aristoteli e quajti familjen "qelizën më të vogël të shtetit" (oikos), duke besuar se shëndeti i një kombi fillon pikëpari brenda mureve të shtëpisë. Nëse ai kishte të drejtë, dhe shumë prej nesh besojmë se kishte, atëherë çdo diskutim rreth formave të martesës nuk është thjesht një çështje private, por një çështje me pasoja të drejtpërdrejta politike, kombëtare dhe qytetëruese.

Kjo ese nuk është thjesht një trajtesë sociologjike apo antropologjike. Ajo është një përpjekje filozofike, një meditim mbi natyrën e njeriut, mbi origjinën e ligjeve që rregullojnë dashurinë dhe bashkëshortësinë, dhe mbi pyetjen më të vështirë prej të gjithave: a e shkatërrojnë këto fenomene shoqërinë, apo thjesht e ndryshojnë atë në mënyra që ne ende nuk i kuptojmë plotësisht?

Do të përpiqemi t'i afrohemi kësaj pyetjeje nga disa këndvështrime: historik, filozofik, psikologjik, moral dhe, në fund, edhe nga këndvështrimi i posaçëm i shoqërisë shqiptare.

 

Kuptimi i dy nocioneve

Para se të flasim për pasojat, duhet të kuptojmë vetë fjalët. Poligjinia (nga greqishtja "polys" = shumë, dhe "gyne" = grua) është forma e martesës në të cilën një burrë ka njëkohësisht më shumë se një grua.

Poliandria (nga "polys" dhe "andros" = burrë) është e kundërta: një grua e martuar njëkohësisht me më shumë se një burrë. Të dyja bëjnë pjesë në atë që antropologët e quajnë "poligami" - një term ombrellë që përfshin çdo formë martese me më shumë se dy anëtarë.

Është me rëndësi të theksohet një dallim themelor: poligjinia ka qenë historikisht shumë më e përhapur se poliandria. Studiues të antropologjisë kulturore kanë vërejtur se shumica dërrmuese e shoqërive njerëzore, në një moment apo tjetër të historisë së tyre, kanë njohur ndonjë formë të poligjinisë, ndërsa poliandria mbetet një fenomen relativisht i rrallë, i kufizuar kryesisht në disa rajone specifike si pjesë të Himalajave (Tibeti, Nepali), disa komunitete në Indinë Jugore, dhe disa popuj nomadë.

Nga aspekti filozofik, dallimi mes këtyre dy formave nuk është thjesht numerik. Poligjinia lidhet zakonisht me struktura pushteti patriarkal, ku burri, si "kryefamiljar", akumulon gra si simbol pasurie, force apo prestigji shoqëror.

Poliandria, në anën tjetër, shpesh lind nga nevoja ekonomike, për shembull, në rajone ku toka bujqësore është e kufizuar, disa vëllezër martohen me të njëjtën grua për të mos e ndarë pronën familjare. Kështu, që në origjinën e tyre, këto dy fenomene mbartin logjika krejt të ndryshme: njëra lidhet me akumulimin, tjetra me ruajtjen; njëra me pushtetin, tjetra me mbijetesën.

"Çdo ligj shoqëror lind nga një nevojë, por jo çdo nevojë e justifikon ligjin që lind prej saj.", reflektim filozofik

 

Prej nga erdhën këto fenomene?- një udhëtim nëpër arkivat e botës

Për të kuptuar rrënjët e poligjinisë dhe poliandrisë, duhet të udhëtojmë larg në kohë dhe hapësirë. Arkivat historike dhe antropologjike na tregojnë se këto praktika nuk lindën nga një vend i vetëm apo nga një kulturë e vetme, por u zhvilluan paralelisht, në mënyrë të pavarur, në pjesë të ndryshme të botës, si përgjigje ndaj kushteve specifike ekonomike, ushtarake dhe fetare.

 

Mesopotamia dhe lashtësia e Lindjes së Afërt

Në kodet ligjore më të lashta të njerëzimit, si Kodi i Hamurabit (rreth shekullit XVIII p.e.s.), gjejmë dispozita që rregullojnë martesën e një burri me më shumë se një grua, zakonisht kur gruaja e parë ishte e pafrytshme. Këtu poligjinia shfaqet jo si shprehje e epshit, por si zgjidhje praktike ndaj problemit të vazhdimësisë së gjakut dhe trashëgimisë, një çështje qenësore për shoqëritë agrare të asaj kohe, ku fëmijët ishin njëkohësisht fuqi punëtore dhe siguri për pleqërinë.

 

Bota biblike dhe patriarkët

Tekstet e lashta hebraike përshkruajnë figura si Abrahami, Jakobi dhe Solomoni, të cilët kishin shumë gra e konkubina.

Këtu poligjinia lidhet ngushtë me pushtetin dhe pasurinë, sa më i fuqishëm ishte një burrë, aq më shumë gra mund të "mbante".

Kjo logjikë do të përsëritet në pothuajse çdo qytetërim të lashtë: poligjinia si tregues i statusit, jo domosdoshmërisht si nevojë biologjike apo emocionale.

 

Bota islame dhe rregullimi i saj

Me lindjen e Islamit në shekullin VII, poligjinia u rregullua ligjërisht, duke u kufizuar deri në katër gra për një burrë, me kushtin e trajtimit të barabartë mes tyre.

Studiuesit e historisë fetare shpjegojnë se ky kufizim erdhi si përgjigje ndaj kontekstit të luftërave të shpeshta në Arabinë e asaj kohe, kur numri i grave beteshkak të mbetura pa mbrojtje ekonomike ishte shumë i lartë, dhe martesa e shumëfishtë shërbente edhe si mekanizëm mbrojtjeje shoqërore.

 

Afrika sub-sahariane

Në shumë kultura afrikane tradicionale, poligjinia ka qenë e lidhur ngushtë me ekonominë bujqësore: më shumë gra do të thoshte më shumë duar pune në fushat e familjes, dhe më shumë fëmijë do të thoshte më shumë siguri për të ardhmen e klanit.

Këtu shohim një logjikë krejtësisht ndryshe nga ajo e Lindjes së Mesme,  jo pushteti individual, por mbijetesa kolektive e komunitetit.

 

Tibeti, Himalajet dhe poliandria

Në zonat malore të Tibetit dhe Nepalit, ku toka e punueshme është jashtëzakonisht e kufizuar, u zhvillua poliandria fraternale, disa vëllezër martoheshin me të njëjtën grua, në mënyrë që prona familjare të mos ndahej brez pas brezi.

Antropologët e shohin këtë si një nga shembujt më të qartë se si gjeografia dhe ekonomia, jo epshi apo pushteti, mund të formësojnë strukturat më intime të jetës njerëzore.

 

Bota shqiptare dhe rajoni ballkanik

Në traditën shqiptare, siç e dëshmojnë të dhënat etnografike dhe vetë Kanuni i Lekë Dukagjinit, martesa monogame ka qenë norma dominuese, ndërsa poligjinia,  e njohur ndonjëherë me termin popullor "shumëgratësi" - ka qenë e pranishme kryesisht si përjashtim, jo si rregull.

Ajo shfaqej më shpesh: (1) në raste kur gruaja e parë ishte e pafrytshme dhe familja kishte nevojë për trashëgimtarë mashkullorë për vazhdimin e fisit dhe mbrojtjen e pronës; (2) tek disa familje të pasura apo bejlerë, veçanërisht në zonat nën ndikim direkt osman; dhe (3) si rrjedhojë e "burrneshës" dhe strukturave të veçanta shoqërore ku gjinia dhe roli shoqëror përcaktoheshin nga nevoja e mbijetesës së familjes, jo domosdoshmërisht nga logjika e poligjinisë klasike.

Studiuesit e etnografisë shqiptare theksojnë se ndikimi osman, gjatë shekujve të gjatë të pushtimit, solli me vete elemente të së drejtës islame, duke përfshirë mundësinë ligjore të poligjinisë, veçanërisht në qytetet dhe mesin e familjeve të konvertuara në Islam apo të lidhura me administratën osmane.

Por është me rëndësi të theksohet se shumica e popullsisë shqiptare, veçanërisht në zonat malore të veriut, e ruajti fort traditën e martesës monogame, të mbrojtur rreptësisht nga vetë Kanuni, i cili e shihte besnikërinë bashkëshortore si shtyllë të nderit familjar. Poliandria, në anën tjetër, pothuajse nuk gjendet fare në traditën shqiptare, mungesa e saj lidhet me strukturën patriarkale të shoqërisë fisnore, ku identiteti dhe trashëgimia rridhnin rreptësisht nëpërmjet linjës mashkullore.

-"Historia nuk përsërit veten, por rimon." - thënie e lashtë, e përshtatur

Perandoria Osmane dhe hareme si institucion pushteti

Vlen të zgjerohet pak edhe pamja mbi Perandorinë Osmane, meqë ndikimi i saj mbi trevat shqiptare zgjati gati pesë shekuj. Institucioni i haremit në pallatin sulltanor nuk ishte thjesht një çështje private martesore, por një mekanizëm i vërtetë politik: gratë dhe konkubinat zgjidheshin shpesh nga popuj të ndryshëm të perandorisë, duke krijuar rrjete aleancash, ndikimi dhe, në disa raste, edhe intriga pallati që përcaktonin fatin e mbretërimeve. Kjo tregon qartë se poligjinia, të paktën në nivelet më të larta të pushtetit, funksiononte më shumë si instrument diplomatik dhe strategjik sesa si shprehje e dëshirës personale.

Në nivelet e ulëta shoqërore osmane, megjithatë, shumica dërrmuese e burrave ishin monogamë thjesht për arsye ekonomike, mbajtja e më shumë se një gruaje kërkonte pasuri që pak kush e zotëronte.

 

Kina perandorake dhe sistemi i konkubinazhit

Në Kinën perandorake, sistemi i konkubinazhit ishte i rregulluar me rreptësi ligjore dhe hierarkike: gruaja kryesore (qi) kishte status krejtësisht të ndryshëm nga konkubinat (qie), dhe fëmijët e lindur nga secila kishin të drejta trashëgimore të pabarabarta.

Kjo strukturë krijoi, sipas dokumenteve historike të dinastive Ming dhe Qing, rivalitete të vazhdueshme brenda pallateve dhe shtëpive të mëdha, deri në raste të dokumentuara helmimesh dhe intrigash vdekjeprurëse mes grave që luftonin për pozicionin e trashëgimtarit të parë.

Ky shembull tregon në mënyrë dramatike se si struktura poligjinike, edhe kur rregullohet me ligj të hollësishëm, prodhon në mënyrë pothuajse të pashmangshme konkurrencë dhe armiqësi mes grave të të njëjtit burrë.

 

Afrika Perëndimore bashkëkohore

Vende si Nigeria, Senegali dhe Mali vazhdojnë edhe sot të njohin ligjërisht poligjininë, dhe pikërisht këtu antropologët dhe ekonomistët e zhvillimit kanë kryer studimet më të hollësishme sasiore mbi pasojat e saj.

Të dhëna të Bankës Botërore dhe organizatave të kombeve të bashkuara për zhvillim tregojnë një korrelacion të qëndrueshëm mes shkallës së lartë të poligjinisë në një shoqëri dhe treguesve më të dobët të arsimimit të fëmijëve, veçanërisht të vajzave, si dhe me nivele më të larta të varfërisë familjare, për shkak të ndarjes së burimeve mes shumë familjeve nën një kryefamiljar të vetëm.

 

Mormonët dhe Amerika e shekullit XIX

Një kapitull i veçantë i historisë perëndimore lidhet me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët), e cila praktikoi poligjininë zyrtarisht gjatë shekullit XIX në Utah, para se ta braktiste atë zyrtarisht në vitin 1890 nën presionin e qeverisë federale amerikane.

Rasti mormon është interesant filozofikisht sepse tregon se edhe brenda një shoqërie perëndimore, moderne për kohën e saj, teologjikisht e motivuar, poligjinia u përplas shpejt me vlerat qendrore të individualizmit dhe barazisë gjinore që po lindnin në kulturën amerikane, duke u shndërruar në burim konflikti të thellë ligjor e shoqëror deri në ditët tona (disa grupime të vogla fondamentaliste e praktikojnë ende në fshehtësi, shpesh të lidhura me raste të dokumentuara abuzimi).

 

Poliandria në Polinezi dhe komunitete të tjera

Përtej Himalajeve, forma të kufizuara poliandrie janë vërejtur edhe në disa ishuj të Polinezisë, si dhe tek disa popuj indigjenë të Amerikës së Jugut (si Amazonia, ku disa komunitete praktikojnë atë që antropologët e quajnë "atësi e ndarë", besimi se një fëmijë mund të ketë disa "baballarë biologjikë").

Këto raste, megjithëse ekzotike për syrin perëndimor, forcojnë të njëjtin përfundim: forma martesore jo-monogame lindin gjithmonë si përgjigje ndaj kushteve specifike ekstreme mjedisore apo ekonomike, jo si zgjedhje "e lirë" filozofike e një populli të lumtur e të qetë.

 

A janë veprime pozitive apo negative?

Këtu arrijmë te pyetja qendrore filozofike, ajo që në thelb e bën këtë temë kaq të vështirë: a ka një përgjigje universale për çështjen nëse poligjinia dhe poliandria janë "të mira" apo "të këqija"?

Filozofia morale na mëson se pothuajse asnjë veprim njerëzor nuk mund të gjykohet jashtë kontekstit të tij historik, ekonomik dhe kulturor.

Nga këndvështrimi i etikës utilitariste, ajo që gjykon veprimet sipas pasojave të tyre për lumturinë e përgjithshme, poligjinia dhe poliandria mund të kenë pasur, në kontekste specifike historike, një funksion "pozitiv" në kuptimin e mbijetesës kolektive: ato ndihmuan komunitete të tëra të përballonin luftëra, thatësira, apo mungesë burimesh. Por i njëjti veprim, i transportuar në një kontekst modern, ku struktura ekonomike dhe sociale kanë ndryshuar rrënjësisht, mund të prodhojë pasoja krejt të tjera, shpesh negative.

Nga këndvështrimi i etikës deontologjike, ajo që Immanuel Kanti e quajti "imperativi kategorik", parimi sipas të cilit duhet të veprojmë vetëm në mënyra që mund t'i dëshirojmë si ligj universal, poligjinia dhe poliandria hasin një pengesë të madhe: a mund të dëshirojë çdo qenie njerëzore, në mënyrë të vërtetë dhe pa detyrim, që partneri i saj të ndajë dashurinë dhe kohën me të tjerë? Shumica e traditës filozofike perëndimore ka konkluduar se jo - se monogamia, si formë e "kontratës së barabartë" mes dy qenieve, respekton më mirë dinjitetin dhe autonominë e individit.

Por ekziston edhe një këndvështrim i tretë, ai i etikës së kujdesit (care ethics), i cili e shtron pyetjen ndryshe: jo "a është e drejtë martesa e shumëfishtë në abstrakt", por "a krijon kjo formë martese kushte për kujdes, respekt dhe siguri emocionale për të gjithë të përfshirët?"

Në shumicën e rasteve historike të dokumentuara, përgjigja tenton drejt jo-së: gratë në marrëdhënie poligjinike raportojnë, sipas studimeve antropologjike dhe psikologjike moderne, nivele më të larta të xhelozisë, konkurrencës dhe pasigurisë emocionale mes tyre, ndërsa fëmijët e lindur në këto struktura shpesh përjetojnë ndarje të pabarabartë të burimeve emocionale dhe materiale nga ana e babait.

Prandaj, përgjigja filozofike më e ndershme është kjo: as poligjinia, as poliandria nuk janë "të këqija" në thelbin e tyre metafizik, janë përgjigje njerëzore ndaj kushteve specifike historike.

Por kur ato transferohen apo imponohen në shoqëri që janë ndërtuar mbi themelin e monogamisë si vlerë morale qendrore — siç është rasti i shoqërisë shqiptare, pasojat priren të jenë destabilizuese, sepse thyejnë kontratën e heshtur morale mbi të cilën është ndërtuar besimi shoqëror.

Ekziston edhe një këndvështrim i katërt, ai i filozofisë ekzistencialiste, i cili e sheh çështjen jo te struktura e jashtme e martesës, por te autenticiteti i marrëdhënies.

Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir, të cilët vetë eksperimentuan me një marrëdhënie të hapur gjatë gjithë jetës së tyre, argumentonin se problemi nuk është numri i partnerëve, por "vetëmashtrimi" (mauvaise foi), gënjeshtra që njeriu i thotë vetes për të justifikuar atë që në thelb është frikë, pushtet apo interes, duke e veshur me petkun e dashurisë apo të lirisë.

Nga ky këndvështrim, pyetja e drejtë nuk është "a është poligjinia e mirë apo e keqe", por "a bazohet ajo në ndershmëri të plotë me vetveten dhe me tjetrin, apo në një gënjeshtër të organizuar shoqërisht?"

Shumica dërrmuese e rasteve historike të poligjinisë, siç e treguam më sipër, bazoheshin në nevojë ekonomike, presion familjar apo pushtet, jo në një zgjedhje autentike dhe të lirë. Kjo e dobëson edhe më tej pretendimin për "pozitivitetin" e tyre moral.

 

Morali njerëzor dhe rruga që merr me këto fenomene

Morali nuk është një gur i pandryshueshëm i zbritur nga qielli; ai është, siç e shpjegonte filozofi David Hume, një ndërtesë e ndërtuar mbi themelin e ndjenjave njerëzore të simpatisë dhe të keqardhjes reciproke.

Kur një shoqëri fillon të tolerojë forma martese që bien ndesh me parimin e barazisë dhe të besnikërisë reciproke, ajo nuk shkatërrohet menjëherë, por fillon një proces të ngadaltë erozioni, ngjashëm me atë të një shkëmbi që bie pikë-pikë nën veprimin e ujit.

Metafora e lumit është e dobishme këtu: morali i një populli është si shtrati i një lumi, i formuar gjatë mijëra vjetësh nga rrjedha e vazhdueshme e traditës, fesë, ligjit dhe zakonit. Kur diçka e huaj, një pengesë, një devijim - futet në atë rrjedhë, uji gjen rrugë të re, por ajo rrugë e re shpesh përfshin përmbytje të tokave që më parë ishin të thata dhe të sigurta.

Kështu, futja e formave martesore që thyejnë monogaminë në një shoqëri të ndërtuar mbi të, nuk është thjesht një "ndryshim neutral",  është një devijim i shtratit moral, me pasoja që prekin gjenerata të tëra.

Psikologjia moderne na jep dëshmi konkrete për këtë erozion. Studimet mbi familjet poligjinike, të kryera në vende ku kjo praktikë ende ekziston ligjërisht (si disa shtete të Afrikës Perëndimore), tregojnë se fëmijët e rritur në këto familje kanë tendencë më të lartë drejt ankthit, konkurrencës jo të shëndetshme mes vëllezërve e motrave gjysmake, dhe një ndjenje më të dobët sigurie identitare. Nënat, nga ana tjetër, raportojnë nivele më të larta depresioni dhe pasigurie ekonomike krahasuar me gratë në martesa monogame.

"Besimi është themeli i çdo shtëpie; kur ai plasaritet, çatia mund të mbetet ende në këmbë për një kohë, por shiu ka gjetur tashmë rrugën për të hyrë." - metaforë filozofike

 

Psikologjia e lidhjes prindërore (attachment theory), e zhvilluar fillimisht nga John Bowlby dhe më pas thelluar nga breza studiuesish, na mëson se siguria emocionale e fëmijës varet nga parashikueshmëria dhe qëndrueshmëria e figurave prindërore.

Në një familje ku burri ndan kohën, vëmendjen dhe burimet mes disa grave dhe grupeve fëmijësh, kjo parashikueshmëri prishet në mënyrë strukturore, jo për shkak të keqdashjes së prindit, por thjesht sepse koha dhe energjia emocionale janë burime të fundme.

Studime të kryera në Jordani dhe në disa vende të Afrikës Perëndimore mbi fëmijët e rritur në familje poligjinike kanë gjetur nivele më të larta ankthi, vetëvlerësimi më të ulët, dhe rezultate më të dobëta akademike krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre nga familje monogame, edhe pasi kontrollohej për faktorë të tjerë si niveli ekonomik i familjes.

Nga ana e psikologjisë së çiftit, xhelozia - atë ndjenjë të lashtë e universale që evolucionistët e lidhin me instinktin e mbrojtjes së investimit riprodhues, nuk zhduket thjesht sepse një shoqëri e legjitimon poligaminë me ligj apo traditë.

Ajo shtypet, fshihet, racionalizohet, por psikologët klinikë që kanë punuar me familje poligjinike raportojnë se ajo shpesh rishfaqet në forma indirekte: ankth kronik, depresion i heshtur, apo konflikte të zhvendosura mes fëmijëve gjysmakë që bëhen "bartës" të tensionit mes nënave të tyre.

 

A e shkatërron një shoqëri, apo çfarë i sjell asaj?

Kjo pyetje kërkon një përgjigje të nuancuar. "Shkatërrim" është një fjalë e fortë, dhe filozofia na mëson të jemi të kujdesshëm me fjalët absolute. Por nëse e shohim shoqërinë si një organizëm të gjallë, një metaforë e përdorur që nga Platoni e këndej, atëherë mund të themi se çdo praktikë që thyen kontratën themelore mes anëtarëve të saj funksionon si një sëmundje autoimune: trupi shoqëror fillon të "sulmojë" vetveten, sepse struktura e besimit mes qelizave të tij (familjeve) është dëmtuar.

Efektet konkrete që vërehen në shoqëritë ku poligjinia apo forma të tjera të martesës së shumëfishtë janë përhapur gjerësisht, sipas studimeve socio-demografike ndërkombëtare, përfshijnë: (1) rritjen e pabarazisë mes burrave, meqë burrat e pasur "monopolizojnë" më shumë gra, mbeten më shumë burra të rinj pa mundësi martese, gjë që korrelon me rritjen e krimit dhe të dhunës shoqërore; (2) përkeqësimin e statusit ekonomik dhe emocional të grave, të cilat ndajnë burime të kufizuara mes tyre; (3) dobësimin e lidhjes prind-fëmijë, për shkak të ndarjes së kujdesit dhe vëmendjes babërore mes shumë familjeve.

Në kontekstin shqiptar specifikisht, ku identiteti familjar ka qenë historikisht i lidhur ngushtë me nderin (nderi si vlerë qendrore e Kanunit), çdo formë e martesës që del jashtë kornizës monogame rrezikon të prekë drejtpërdrejt këtë strukturë nderi, jo vetëm në kuptimin fetar apo ligjor, por në kuptimin ekzistencial: kush jam unë, nëse familja ime nuk është më "e plotë" dhe "e vetme"?

Metafora e organizmit na çon edhe te një ide e dytë, po aq e rëndësishme: ashtu si trupi njerëzor mund të mbijetojë për një kohë të gjatë me një organ të dëmtuar para se dëmi të bëhet i dukshëm në sipërfaqe, edhe shoqëria mund të vazhdojë të funksionojë në dukje normalisht për breza të tërë, ndërkohë që erozioni i besimit ndërnjerëzor po përparon në heshtje. Kjo është arsyeja pse pasojat e vërteta të një prakike të tillë shpesh nuk shihen menjëherë, por vetëm dy a tri breza më vonë, kur statistikat e divorceve, të krimit rinor, apo të varfërisë familjare fillojnë të tregojnë modele që lidhen, ndërmjet faktorëve të tjerë, edhe me dobësimin e strukturës themelore martesore.

 

A ka synime të fshehta pas futjes së këtyre fenomeneve?

Këtu prekim një territor më spekulativ, por filozofikisht të domosdoshëm për t'u eksploruar. Ndër historianë dhe sociologë ekziston një shkollë mendimi, jo pa kritikë, por e vlefshme për t'u përmendur, sipas së cilës çdo pushtim apo dominim i një populli mbi një tjetër shpesh shoqërohet, qëllimisht ose jo, me futjen e elementeve që dobësojnë strukturën shoqërore të popullit të nënshtruar.

Poligjinia, sipas kësaj analize, në disa kontekste historike (jo domosdoshmërisht në rastin shqiptar në mënyrë të organizuar) mund të ketë funksionuar si mjet i tërthortë i kontrollit demografik dhe social, duke krijuar hierarki të reja pushteti brenda popullsisë së pushtuar, duke e bërë atë më të lehtë për t'u qeverisur.

Duhet theksuar me ndershmëri intelektuale se kjo është një hipotezë interpretuese, jo një fakt historik i dokumentuar me prova të drejtpërdrejta për rastin shqiptar.

Shumica e studiuesve modernë të historisë osmane e shohin përhapjen e kufizuar të poligjinisë tek shqiptarët më shumë si rrjedhojë natyrale e përhapjes së Islamit dhe strukturave administrative osmane, sesa si strategji e qëllimshme "shkatërrimi".

Sidoqoftë, pavarësisht nga qëllimi, i vetëdijshëm apo jo, pasoja objektive mbetet e ngjashme: çdo praktikë që e dobëson strukturën monogame të një shoqërie e bën atë shoqëri më pak të kohezionuar, dhe një shoqëri më pak e kohezionuar është, në mënyrë objektive, më e lehtë për t'u ndikuar nga jashtë.

Kjo na kthen te një parim i vjetër i filozofisë politike, i formuluar qartë nga Machiavelli: "divide et impera", përça e sundo. Nuk është e nevojshme të pranojmë se çdo rast historik i poligjinisë ka qenë pjesë e një komploti të organizuar, për të pranuar parimin më të thjeshtë se çdo ndarje e brendshme brenda një populli, qofshin fetare, qofshin familjare, e bën atë popull më vulnerabël.

Vlen të përmendet edhe një shembull konkret historik i përdorur shpesh nga historianët për të ilustruar këtë lloj strategjie: politika koloniale evropiane në Afrikë gjatë shekujve XIX–XX, e cila në disa raste inkurajoi apo la të lulëzonte poligjininë lokale, sepse ajo krijonte struktura pushteti më të lehta për t'u manipuluar nga jashtë, meshkuj të pasur, me shumë gra e fëmijë të varur prej tyre, ishin më të lehtë për t'u kontrolluar përmes elitave lokale, sesa një shoqëri e strukturuar në familje të vogla, të barabarta e të pavarura ekonomikisht.

Ky nuk është një "komplot" në kuptimin konspirativ të fjalës, por një logjikë e thjeshtë e ekonomisë politike të pushtimit: përça strukturat sociale, dhe do të kesh më lehtë të sundosh.

 

Sa humane dhe njerëzore është ky veprim?

"Humanitet" nuk do të thotë thjesht "çka bëjnë njerëzit", sepse njerëzit kanë bërë gjithçka, nga më bujaria deri te më mizoria. Humaniteti, në kuptimin filozofik të vërtetë, i referohet asaj çfarë e nderon dinjitetin dhe autonominë e çdo qenieje njerëzore të përfshirë në një marrëdhënie.

Testi më i thjeshtë filozofik për humanitetin e një praktike martesore është ky: a mund të bashkëjetojnë brenda saj, në mënyrë të barabartë, dëshira dhe pëlqimi i lirë i të gjithë të përfshirëve, pa presion ekonomik, pa detyrim fetar, pa frikë shoqërore?

Në shumicën dërrmuese të rasteve historike dhe bashkëkohore të dokumentuara nga antropologjia, përgjigja është jo: gratë e dyta, të treta apo të katërta në marrëdhënie poligjinike shpesh hyjnë në to nën presion ekonomik ose familjar, jo nga një zgjedhje krejtësisht e lirë. Kjo e vë në dyshim serioz "humanitetin" e praktikës, pavarësisht nga rregullimet ligjore apo fetare që mund ta legjitimojnë atë.

"Liria pa zgjedhje të vërtetë është vetëm një emër tjetër për varësinë." -  reflektim filozofik

 

Kah po shkon shoqëria e sotme?

Paradoksalisht, shoqëria bashkëkohore perëndimore, ndërkohë që largohet gjithnjë e më shumë nga format tradicionale të poligjinisë e poliandrisë historike, po eksperimenton me forma të reja të marrëdhënieve të shumëfishta, si "poliamoria" moderne, e ndërtuar mbi parimin e pëlqimit të lirë dhe të barabartë mes të gjithë të përfshirëve.

Nga kjo formë e re dallon ana filozofike nga poligjinia tradicionale pikërisht te elementi i pëlqimit: në teori, të gjithë partnerët hyjnë vullnetarisht dhe me të drejta të barabarta.

Sociologët që studiojnë këtë fenomen në vendet perëndimore vërejnë, megjithatë, se edhe në komunitetet më të hapura e më të edukuara të poliamorisë, statistikat tregojnë qëndrueshmëri më të ulët afatgjatë të marrëdhënieve krahasuar me çiftet monogame, si dhe një përqindje të lartë të pjesëmarrësve që përjetojnë, në një moment apo tjetër, lodhje të thellë emocionale nga përpjekja e vazhdueshme për të menaxhuar xhelozinë dhe pasigurinë përmes vullnetit racional.

Kjo na kthen te një e vërtetë e thjeshtë por e fuqishme psikologjike: mund të ndryshojmë ligjet, fetë dhe strukturat shoqërore, por biologjia dhe psikologjia e thellë e lidhjes njerëzore ndryshojnë shumë më ngadalë.

Mekanizmat e xhelozisë, të investimit emocional dhe të nevojës për siguri të parashikueshme janë formuar gjatë mijëra vjetësh dhe nuk zhduken thjesht sepse një shoqëri e caktuar, në një moment historik të caktuar, vendos t'i normalizojë format e reja të marrëdhënieve.

Por edhe kjo formë moderne ngre pyetje të thella psikologjike: a mund të ekzistojë intimiteti i thellë, i qëndrueshëm, kur vëmendja emocionale ndahet mes shumë personave? Psikologët e lidhjes (attachment psychology) theksojnë se qeniet njerëzore kanë një nevojë themelore për siguri të parashikueshme emocionale, dhe kjo siguri prishet lehtësisht kur burimet emocionale të një partneri ndahen mes disa personave njëkohësisht.

Në shoqërinë shqiptare të sotme, dukuritë e reja shoqërore, migrimi masiv, ndikimi i mediave sociale, kontaktet e shumta me kultura të tjera, kanë sjellë një diskutim të ri, ende të kufizuar, rreth formave alternative të marrëdhënieve.

Ndërkohë që vetë poligjinia klasike praktikisht nuk ekziston më ligjërisht apo shoqërisht në Shqipërinë e sotme dhe në trevat shqiptare në përgjithësi, elementë të "poligamisë joformale" - marrëdhënie paralele të fshehta, pabesi bashkëshortore e normalizuar heshtazi, janë bërë temë e shqetësimit të vazhdueshëm shoqëror, duke prodhuar pasoja psikologjike të ngjashme me ato historike: pasiguri, xhelozi, thyerje besimi, dhe në shumë raste, shkatërrim të plotë familjar.

 

Shembuj bashkëkohorë nga hapësira shqiptare

Edhe pse legjislacioni shqiptar modern, si ai i Kosovës, ashtu edhe ai i Shqipërisë e i Maqedonisë së Veriut, e njeh dhe mbron vetëm martesën monogame, dhe poligjinia formale nuk ekziston si institucion ligjor, studiues të antropologjisë sociale kanë vërejtur raste të izoluara në disa komunitete rurale, veçanërisht në zona periferike ku traditat fetare janë më konservatore, ku burra praktikojnë atë që sociologët e quajnë "poligami de facto", një martesë civile e regjistruar dhe një apo më shumë bashkëjetesa fetare të paregjistruara. Këto raste, edhe pse statistikisht margjinale, sjellin pasoja shumë konkrete: gratë "e dyta" mbeten pa mbrojtje ligjore në rast ndarjeje, fëmijët e tyre përballen me pasiguri lidhur me trashëgiminë, dhe vetë komuniteti i tyre lokal shpesh i stigmatizon ato më shumë sesa burrin e përfshirë.

Një fenomen tjetër, më i përhapur dhe më modern, është ai i "familjeve paralele" të krijuara nga migrimi ekonomik: burra shqiptarë të emigruar prej dekadash në vende perëndimore, të cilët krijojnë një familje të dytë joformale në vendin e emigrimit, ndërkohë që familja e parë mbetet në atdhe, shpesh pa dijeni për vite me radhë.

Kur e vërteta zbulohet, siç ndodh shpesh, pasojat psikologjike për gruan dhe fëmijët "e lënë pas" janë të krahasueshme me ato të studiuara në familjet poligjinike klasike: ndjenjë tradhtie, humbje besimi, dhe në shumë raste, shpërbërje e plotë e familjes origjinale.

Kjo formë "moderne" dhe e fshehur e poligjinisë joformale, sipas psikologëve klinikë që punojnë me familje shqiptare të prekura nga migrimi, prodhon dëme emocionale shpesh më të thella se format tradicionale e të hapura historike, pikërisht sepse mashtrimi dhe fshehtësia shtojnë traumën e tradhtisë mbi vetë strukturën jo-monogame.

Këta shembuj bashkëkohorë tregojnë diçka të rëndësishme: edhe pse poligjinia si institucion formal ligjor ka pothuajse zhdukur nga hapësira shqiptare, logjika e saj e thellë, ndarja e besnikërisë, e burimeve dhe e kohës emocionale mes më shumë se një familjeje, vazhdon të gjejë forma të reja për t'u shfaqur, shpesh më të dëmshme pikërisht sepse veprojnë në fshehtësi, pa mbrojtjen (të pjesshme) që tradita apo ligji i vjetër i jepnin gruas së dytë apo të tretë.

 

Metafora përfundimtare; druri me shumë rrënjë

Le të mbyllim me një metaforë të fundit. Një familje monogame është si një dru me një rrënjë të vetme, por të thellë, e cila mund të përballojë stuhi të forta pikërisht sepse gjithë forca e saj është e përqendruar në një drejtim. Një familje e ndërtuar mbi struktura të shumëfishta martesore është si një dru me shumë rrënjë të cekëta, të përhapura në drejtime të ndryshme, dru që mund të duket më i gjerë në sipërfaqe, por që në stuhinë e parë të vërtetë të jetës, rrezikon të rrëzohet, sepse asnjë prej rrënjëve të tij nuk arrin thellësinë e nevojshme për ta mbajtur në këmbë.

Kjo nuk do të thotë se çdo dru me shumë rrënjë vdes, ashtu siç asnjë familje monogame nuk është automatikisht e lumtur apo e qëndrueshme. Por si tendencë, si probabilitet statistikor dhe psikologjik, thellësia e vetme e rrënjës mbetet burimi më i sigurt i qëndrueshmërisë.

 

Për fund

Poligjinia dhe poliandria janë, para së gjithash, dëshmi të pasurisë dhe kompleksitetit të përvojës njerëzore, përgjigje të ndryshme që popuj të ndryshëm i kanë dhënë sfidave të mbijetesës, pushtetit dhe dashurisë.

Nuk mund t'i gjykojmë ato jashtë kontekstit të tyre historik pa rënë në gabimin e anakronizmit moral. Por kur i vështrojmë me sytë e shoqërisë shqiptare të sotme, një shoqëri që e ka ndërtuar identitetin e saj mbi shtyllën e familjes monogame, të nderit dhe të besnikërisë, bëhet e qartë se çdo formë e martesës së shumëfishtë, qoftë e trashëguar nga historia, qoftë e importuar nga jashtë në forma të reja e të fshehta, mbetet një forcë erozive për kohezionin shoqëror dhe për shëndetin psikologjik të individit.

Nëse do të përmblidhnim gjithë këtë udhëtim filozofik në një fjali të vetme, ajo do të ishte kjo: forma e martesës nuk është kurrë thjesht një çështje private mes dy apo më shumë njerëzish, ajo është gjithmonë, njëkohësisht, edhe një deklaratë publike mbi atë çfarë një popull e vlerëson si të shenjtë, si të drejtë, dhe si të qëndrueshme.

Kur ajo deklaratë mbetet e qartë, e njëtrajtshme dhe e mbrojtur nga vetë populli, siç ka qenë rasti i traditës shqiptare të monogamisë, e mbrojtur me kaq forcë morale nga vetë Kanuni, shoqëria gjen forcën për të përballuar edhe stuhitë më të mëdha historike, pushtime, varfëri, migrim.

Por kur ajo deklaratë fillon të mjegullohet, të kompromentohet në heshtje, apo të zëvendësohet fshehurazi me praktika që e mohojnë, atëherë as ligji më i mirë, as feja më e fortë, nuk mund ta ndalojnë plotësisht erozionin e ngadaltë të besimit ndërnjerëzor mbi të cilin është ndërtuar çdo shoqëri e qëndrueshme.

Filozofia nuk na jep gjithmonë përgjigje të prera, por na jep diçka më të vlefshme: pyetjet e duhura.

Dhe pyetja që kjo ese lë të hapur për lexuesin është kjo: a jemi ne, si shoqëri, gati të mbrojmë atë rrënjë të vetme e të thellë mbi të cilën jemi ndërtuar, apo do të lejojmë që rrënjë të reja e të cekëta të na e prishin ekuilibrin që paraardhësit tanë e ruajtën me kaq mund, gjatë shekujve të vështirë?

"Populli që harron rrënjët e veta, nuk e humbet vetëm të kaluarën — humbet edhe busullën për të ardhmen." -  mendim filozofik mbyllës

 

2026




Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen