LOTËT E ARDIT
Nisja e aeroplanit dhe ngritja e tij drejt qiellit, herë pas here po e
shqetësonte Ardin. Ishte hera e parë që po fluturonte me aeroplan.
Babai i tij prej vitesh gjendej në mërgim dhe këtë vit, përfundimisht, kishte vendosur t’i merrte me vete në Zvicër: Ardin, Tanin dhe mamanë e tyre. Ai ishte ulur në ulësen e aeroplanit afër një dritareje të vogël dhe vazhdimisht shikonte përtej krahëve të aeroplanit, që i ngjasonin krahëve të një shqiponje.
Aeroplani sa po ishte ndarë nga pista e aterrimit dhe po i merrte
lartësitë. Kjo po e bënte shumë kurioz Ardin që shikonte nga lart. Prapa po
mbetej aeroporti i Prishtinës, ndërsa përreth fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Fushat plot grunaja e lulëkuqe mes tyre. Tymtarët e Termocentralit të Kosovës,
që po nxirrnin shtëlluga tymi drejt qiellit përpjetë, kishin mbetur shumë
poshtë dhe dukeshin si statuja të vogla në tokë. Aeroplani tanimë i kishte
marrë lartësitë dhe po vazhdonte fluturimin. Ardi që deri në ato çaste, krahas
gëzimit, që kishte pasur se po fluturonte për herë të parë me aeroplan, herë
pas here kishte ndier edhe një dozë frike. Megjithatë, kurioziteti i tij ishte
përqëndruar, kryesisht, jashtë aeroplanit. Tanimë që ishte liruar nga ajo dozë
frike e oscilimeve të herëpashershme të aeroplanit, duket se është qetësuar. U
kthye nga mamaja e tij dhe i tha:
- Mami, e shikon sa e bukur duket
Kosova, - derisa gishtin tregues e drejtonte kah dritarja e vogël e aeroplanit.
- Po, biri i mamit ajo është shumë e
bukur, më e bukura nga të gjitha vendet e botës, - iu përgjigj mamaja dhe i
lëmoi flokun.
Ndërsa, Tani që po rrinte ulur në
ulësen tjetër të aeroplanit, po shikonte përtej dritareve dhe nuk po e fliste
asnjë fjalë. Dorën e kishte vënë në faqe dhe ishte thelluar në mendime. Ku ta
di se nga kishte vajtur në ato çaste, ai! Ndoshta, mendja i kishte ngelur te
shokët, gjyshja e gjyshi nga të cilët, kur ishte ndarë e kishin pushtuar ca
pika loti. Gjatë gjithë rrugës nuk kishte folur asnjë fjalë më.
Nëna që ua kuptonte brengën, herë
pas here ua lëmonte flokët dhe u thoshte:
- Do të kthehemi përsëri gjatë kohës së pushimeve.
Kjo nuk i nxirrte nga heshtja asnjërin nga fëmijët, që po i pushtonte
gjithnjë e më tepër përmallimi.
Derisa nëna po i rregullonte ca plaçka në çantën e saj, Ardi përsëri kishte
humbur mendimeve përtej dritares së aeroplanit. Faqeve të tij po rridhnin lot
përmallimi. Vetëm atëherë kur i vuri duart mbi faqe dhe filloi që t’i fshijë
ato, nëna e kuptoi se ai po qante. Sa u pikëllua dhe ajo. E afroi afër vetes
dhe e përqafoi.
- Do të kthehemi përsëri, - e
ngushëlloi ajo.
Ndërsa, aeroplani vazhdoi fluturimin e tij drejt Alpeve të Zvicrës.
1997
ARDIN S'E ZË GJUMI
Kishte ikur mesi i natës. Ardin ende s’po e zinte gjumi. Herë majtas e herë djathtas rrotullohej në krah nëpër shtratin e tij dhe prapë s’po e merrte gjumi. Ishte përmalluar për shokët në vendlindje, për gjyshin e gjyshen.
Kishte disa muaj që atij i mungonte vendlindja, ndërsa malli sa iknin ditët
e rritej. Edhe këtë natë atë, sikur e ka pushtuar dhe nuk e lë që të fle. Janë
kujtimet e vendlindjes, që e trazojnë dhe nuk e lënë të mbyllë sytë. Ka ditë
dhe netë që malli për vendlindjen i trazohet si një lumë që s’e ndalë rrjedhën,
por sa vjen e shtohet. Shtohet dhe malli i Ardit për lojën në vendlindje, për
shokët: Albanin, Flamurin, Artën, pastaj pë gjyshin e gjyshen, që kanë ngelur
të vetëm atje në Kosovë. Janë këto kujtime që po i sillen vërdallë nëpër kokë
dhe s’po e lënë të vë gjumë në sy. Ai u zgjua nga shtrati dhe u afrua te
dritarja. E hapi atë dhe të dy bërrylat e tij të vegjël i vuri mbi parmakun e
dritares, ndërsa duart i vuri në faqe dhe po e vështronte topthin e hënës lart
në qiell. Ajo po shkëlqente mbi shtëpitë e qytezës, ndërsa Ardi po përpiqej ta
largonte mallin që e kishte pushtuar. Nga dhoma tjetër, babai kishte dëgjuar
kërcëllimën e dritares dhe ishte zgjuar.
- Ende s’ke fjetur? - u dëgjua zëri
i babait te dera.
- Nuk më merr gjumi, baba! - u
përgjigj Ardi trembshëm nga befasia.
Babai iu afrua ngadalë dhe filloi t’ia lëmoi flokun, derisa po shikonte
andej nga po shikonte Ardi.
- Natë plot shkëlqim, - përshpëriti
babai.
- Po baba, - shtoi Ardi.
- Po ti tani duhet të flesh, shpirti
i babait, - tha ai dhe e mori për dore Ardin, deri te krevati.
- Ti nesër duhet të shkosh në
shkollë dhe nëse nuk fle, s’e përballon dot ditën, - vazhdoi babai, tek po e
mbulonte Ardin.
Babai e kuptonte mirë mallin e Ardit ndaj edhe brengosej shumë. Mundohej
t’ia lehtësonte atë mall, me shetitë e ndryshme gjatë fundjavës, por e kishte
shumë të vështirë. Ai gjatë i qëndroi pranë shtratit Ardit derisa e zuri gjumi.
1997, Zvicër
NË KOPSHT ZOOLOGJIK
Ka disa jave që Ardi e Tani kanë ardhur te babai i tyre, në Zvicër. Përmallimi i tyre për shokët e shoqet në Kosovë, për gjyshin e gjyshen, vendlindjen, sikur u rritet çdo ditë. Ata zgjohen të mërzitur çdo mëngjes. Vetëm kur humbin brenda obligimeve të ditës në shkollë, sikur çlirohen ca nga ai mall.
Në mbrëmje, babai mundohet t’u qëndrojë afër, duke u munduar që t’i largojë
nga ai përmallim, ndërsa për çdo fundjavë i nxjerr në shëti nëpër vende të
ndryshme. Këtë fundjavë ai u ka premtuar se do ta vizitojnë një kopsht
zoologjik afër qytetit të Cyrihut. Ardi është zgjuar herët, e lau fytyrën,
dhëmbët dhe ëshë veshur. Edhe Tani është zgjuar dhe po bëhet gati. Ndërsa,
mamaja e ka bërë gati mëngjesin. Pasi hëngrën mëngjesin, me veturën e babait
udhëtuan për në qytetin, ku gjendej kopshti. Gjatë rrugës, Ardi, disaherë e
kishte pyetuar babain:
- Ka edhe shumë rrugë deri në
kopshtin zoologjik?
Babai e kishte kuptuar se Ardin e ngacmonte dëshira për të arritur sa më
parë në kopsht. Ai nuk kishte qenë asnjeherë në kopsht zoologjik. Në Kosovë nuk
kishte asnjë kopsht zoologjik, prandaj nuk kishte pasur mundësi të vizitonte
ndonjë të tillë. Ai gjatë gjithë rrugës u fliste për vendet e ndryshme,
peizazhet e bukura përskaj rrugëve, liqenet e shumta që i ka Zvicra etj.
- Ja arritëm, - tha babai, derisa po
e kërkonte një vend për parkimin e veturës.
- Ua! - kërceu Ardi nga gëzimi dhe i
ngriti duart lart.
Edhe Tani u gëzua shumë, ngase dëshira për të vizituar një kopsht zoologjik
e kishte ngacmuar gjithmonë.
Babai e parkoi veturën dhe të gjithë së bashku u drejtuan drejt hyrjes së
kopshtit. I nxori katër bileta dhe hynë të gjithë së bashku.
Ardi e Tani, po nxitonin përpara mamasë dhe babait. Kurioziteti që sa më
parë të shihnin se ç’kishte në kopsht, po i ngacmonte vazhdimisht. Edhe babai
ndjehej i lumtur, ngase sadopak kishte arritur që t’i nxirrte nga ai përmallim
i atyre ditëve të para të ardhjes në Zvicër. Në hyrje të kopshtit shfaqej një
mini liqe i vogël brenda dhe përreth të cilit kishte plot shpezë të ndryshme,
si: pulëbardha, shota nga më të bukurat dhe shumë lloje të tjera shpezësh, që
ishte e vështirë t’i njihje me emra të gjithë. Për çdo lloj shpezi, skaj
liqeni, ishte e vendosur një pllakë, ku paraqitej lloji i shpezëve dhe emrat e
tyre. Ndërsa, Ardi e Tani po kënaqeshin nga këto pamje, që po i ofronte
kopshti. Përtej skajit të liqenit ishte një pishinë e delfinëve dhe një
amfiteatër për publikun, që po e përcillte lojën e delfinëve.
- Duam të hyjmë dhe ne, - iu lut
babait, Tani.
- Po, - i tha babai dhe bleu edhe
katër bileta për hyrjen në amfiteatrin e delfinëve, brenda kopshtit.
Kërcimet mbi ujë dhe pikat e tjera të programit nga loja e delfinëve, i
mahniti vogëlushët. Kurrë nuk e kishin ditur se një delfin mund të jetë kaq i
afërt me njeriun. Ndërsa, ulja e tyre dirigjohej nga një punëtor i kopshtit, i
cili pas çdo loje i qëraste delfinët me peshq të vegjël.
Kur përfundoi loja e delfinëve të gjithë e përcollën me duartrokitje fundin
e programit.
- U kënaqët? -i pyeti babai të dy
vogëlushët.
- Po, - u përgjigjën thuajse
njëzëri, Tani e Ardi.
Ata vazhduan pastaj shëtinë e tyre nëpër kopsht. Ishte një pjesë e veçantë
e ndërtuar për majmunët, që më tepër i ngjasonte pamjeve të xhunglës, që
vogëlushët i kishin parë në televizor.
- Ua, majmunët! - tha Ardi i
befasuar dhe vrapoi drejt skajit të murit, që e përkufizonte zonën e lëvizjes
së tyre. Vogëlushët u habitën nga akrobacionet e tyre. Ndërsa, njerëzit që po
shikonin përreth, herë pas here u jepnin gjëra, si: banane e gjësende të tjera
ushqimore.
Ardi që në xhep i kishte ca bobone, i nxori ato dhe nga afërsia përmes
telave ua hodhi turrmës së majmunëve. Kjo e gëzoi shumë Ardin. Shëtia e tyre
nëpër kopsht vazhdoi gjatë gjithë ditës. Aty kishte: luanë, ujq, ari, derra të
egër, pastaj elefantë dhe çka jo tjetër. Të dy vogëlushët ishin mahnitur nga gjithë
ato çfarë panë gjatë kësaj dite në kopshtin zoologjik të Cyrihut.
Rreth mbrëmjes ata u kthyen të lumtur në banesën e tyre.
Edhe babai ndjehej i gëzuar, ngase të paktën kishte arritur që t’i largonte
nga ai mall që i brente vogëlushët.
1997,
Zvicër
TRENAT DHE TONI
Rrezja e parë e diellit, Tonin e gjeti në dritare. Aty ai e kalon kohën. Dritarja e tij është në katin e katërt të aparatamentit, i cili gjendet fare pranë stacionit të trenave. Toni me babain, nënën dhe të vëllanë gjenden që prej pesë vjetësh në mërgim. Ai shkon në klasën e gjashtë. Është nxënës i shkëlqyeshëm, por ka një hall, që e mundon çdo ditë.
Sa herë që gjen kohë
të lirë, ulet në një ulëse pranë dritares dhe i vendos të dy duart në faqe,
duke hedhur shikimin diku pas udhëtimit të trenave dhe humbet mendimeve.
Nganjëherë përshëndet me dorë. Babai e ka kuptuar brengën e tij dhe ka filluar të
merakoset për të.
Një ditë tek po rrinte
në dritare iu afrua pranë dhe e pyeti : - A më thua Toni çfarë të mundon?
Ai po hezitonte që
t’i tregojë babait , por pas insistimit të dytë të babait, atij iu mbushën sytë
me lot dhe u përgjigj: - Po i shikoj trenat, baba. Njëri nga këta me siguri shkon
edhe në Kosovë, - foli Toni, - ah sikur të m’i marr edhe dëshirat e mia me vete.
- Do të shkojmë edhe
ne një ditë me tren, Toni, - i tha babai, derisa po ia lëmonte flokët, - bile
shumë shpejt, tani për pushime verore, - foli babi me vendosmëri.
Sa u gëzua Toni,
brofi në këmbë dhe e përqafoi babain dhe iu lut që t’i tregonte se kur do të
udhëtojnë. Pasi shikuan mirë në kalendar datën e pushimeve ata vendosën që t’i
rezervonin biletat e udhëtimit.
Që nga ajo ditë, Toni
i shikonte me kënaqësi trenat nga dritarja e tij, por gjithmonë rri i gëzuar,
si dhe i numëron ditët në kalendar.
2000, Zvicër
BUSTI I SKËNDERBEUT
Liridona, e cila para dy viteve ka ardhur në mërgim, së bashku me mamanë dhe vëllain e saj, Flamurin, janë të vendosur në një qytet në lindje të Zvicrës. Ajo shkon në mësime parashkollore dhe është shumë e sjellshme.
Në kohën
e lirë, kur kthehet nga shkolla e ndihmon mamanë në punët e shtëpisë, në kopsht;
pastaj i ujit lulet në ballkon dhe shumë punë të tjera. Në shkollë është e dalluar.
Shkon e pastër, e krehur dhe e veshur mirë. Rrobat e veta asnjëherë nuk i përlyen.
Babai i saj punon që prej vitesh në mërgim. Shumë vite i ka kaluar larg familjes,
por tanimë që vitet kanë filluar ta mundojnë ai e solli në mërgim Liridonën,
Flamurin dhe mamanë e tyre. Në Kosovë kanë mbetur vetëm gjyshi dhe gjyshja, për
të cilët ai mërzitet shumë dhe muaj për muaj u dërgon të holla.
Ai shpesh për pushime shkon në Shqipëri, sepse
në Kosovë është i përndjekur nga okupatori serb. Kur kthehet nga Shqipëria
sjell shumë simbole, ëmblema dhe punime të tjera. Gjatë pushimit të fundit, që kishte
bërë e kishte sjellë edhe një bust të Skënderbeut të punuar nga një skulptor shqiptar.
Këtë bust, Liridona i ka propozuar babait që ta
vendosë në vitrinë dhe i kishte thënë se për të do të kujdesem unë. Sa ishte gëzuar
babai për dëshirën e Liridonës. -E di i kujt është ky bust? - e kishte pyetur babai.
- Po baba, - ishte përgjigjur ajo, - më ka folur
gjyshi për trimërinë e tij, - ai është kryetrimi ynë legjendar, Gjergj
Kastrioti - Skëndërbeu, - ishte përgjigjur gojën plot. -Të lumtë bijë! - e kishte
përqafuar babai dhe e kishte puthur në faqe, ashtu si të paska treguar gjyshi është.
-Unë këtë bust do të ta besojë ty që të kujdesesh
për të. Kështu çdo mëngjes dhe sa herë ka kohë të lirë, Liridona e pastron bustin
e Skëndërbeut, që të shkëlqejë sa më mirë dhe gjithmonë e këndon himnin kombëtar
dhe ndihet shumë e gëzuar dhe krenare. Ndërsa, sa herë e dëgjon babai, e përqafon
dhe i mbushën sytë me lot nga dashuria për atdheun që nuk mund ta shohë. Edhe
Liridona tregon dashuri të madhe për bustin e kryetrimit - Skënderbe.
Zvicër, 1999
FOTOGRAFIA E GJYSHIT
Në vitrinën e dhomës së ditës babai i Ardit ruan shumë
suvenire te çmueshme muzeale, si: dhurata, stoli të gravuara nga mjeshtër të
ndryshëm, kupa futbolli etj.
Aty pranë e ka
vendosur edhe fotografinë e gjyshit. Plaku plisbardhë me flokë të thinjura, si
bora e Sharrit, me rrudha në ballë, i fikësuar në fotografi është gjyshi i
Ardit, për të cilin ai ndjen shumë mallë.
E kujton se kur
ishte në Kosovë ai e donte shumë dhe ulej afër tij dhe ai tregonte përralla, i
jepte bonbone e çokolata, shpesh i blente edhe rroba, ngase babai ishte në
mërgim. Këtë përkujdesje të gjyshit ai e ruan me shumë respekt dhe, sa herë që
afrohet te vitrina, ndalet dhe e shikon gjyshin në fotografi. Kjo e mallëngjen
së tepërmi, sa që, nganjëherë, i mbushen sytë me lot.
Sa kalojnë ditët
ai gjithnjë e më shpesh afrohet te portreti i gjyshit. Mamaja e ka vërejtur se
Ardi gjithnjë e më shumë ndien mall për të.
- Të ka marrë
malli për gjyshin? - e pyeti një ditë, derisa ai po shikonte portretin.
Ai pohoi vetëm me
kokë dhe nuk foli asgjë.
Një mallëngjim nga brenda, sikur e shtynte në vaj, sikur
nuk gjente forcë të fliste se mund t’i dilnin lotët.
- Së shpejti do të vijnë pushimet dhe ne do të
shkojmë në Kosovë, - foli mamaja sa për ta qetësuar.
Ai vrapoi drejt mamasë,
e përqafoi dhe vrap iku poshtë në oborr, që të luajë me shokë.
Duket se fjalët e
mamasë i dhanë shpresë, prandaj iku i gëzuar drejt oborrit.
Qershor, 1997
GABIMI I DRILONIT
Driloni, Artani,Vjosana, Ardiani, janë që prej dy vjetësh
bashkë. Ata kanë ardhur me prindërit e tyre këtu në mërgim dhe jetojnë në një
qytet.
Çdo ditë shkojnë në shkollë bashkë, luajnë, mësojnë, bile
edhe në grupin e recitatorëve janë të gjithë së bashku, që prej dy vjetësh.
Ata për çdo festë i pëgatit mësuesi i mësimit plotësues
në gjuhën shqipe, ku me recitimet e tyre i kënaqin mërgimtarët tanë.
Edhe mësuesi është shumë i mirë dhe punëtor. Ai nuk
përton fare, ku për çdo festë me grupin e vogëlushëve përgatit recitime dhe
këngë.
Para çdo koncerti ai u cakton poezi fëmijëve, pastaj për
çdo fundjavë mban përgatitje, që ditën e festës, fëmijët të dalin sa më të
mirë.
Driloni është anëtar i grupit letrar, por është ca i
llastuar. Shpesh mungon në prova, bile një ditë i kishte thënë Vjosanës:
-Unë jam më i miri recitator i grupit, mua s’më duhet
përgatitja, – i kishte folur me mburrje.
Të gjithë shokët kishin qeshur dhe ai ishte hidhëruar e
kishte ikur nga loja.
Fjala kishte shkuar edhe te mësuesi.
Një ditë para shokëve, mësuesi tha: - Të gjithë jeni të
mirë, ndërsa ti Drilon je ca mburravec, por duhet ta largosh atë veti, sepse do
të të kushtojë në jetë.
Driloni, nuk foli
gjë, vetëm uli kokën në bankë.
Mësuesi, për mungesat e tij i kishte treguar edhe babait
të Drilonit, bile babai i kishte thënë se:
-Ai nga shtëpia
niset e më thotë se shkova në prova dhe ikën me biçikletën e tij.
Kështu mësuesi kishte zbuluar se edhe babain e kishte
gënjyer, bile ishte nevrikosur shumë.
Por, asnjëherë mësuesi nuk e kishte larguar nga
koncertet, duke shpresuar se Driloni do të përmirësohet.
Erdhi dita e 28
Nëntorit. Të gjithë fëmijët ishin veshur bukur dhe ishin bërë gati për festë.
Secilit i dridhej zemra se cili do të recitojë më bukur. Kush do të prezentohet
më mirë para masës së tubuar në sallë.
I pari në skenë
duhej të dilte Driloni, pasi që moderatori kishte paralajmëruar emrin e tij.
Ecte Driloni me mburrje drejt binës, bile para se të
fillojë që të recitojë, harroi fare të përshëndesë siç e kishte mësuar mësuesi,
por ia filloi vjershës:
28 Nëntori
në sheshin e Vlorës
ka festë Shqipëria
aty ka dalë sot
e tërë Arbëria
u duk sikur i ngeli në fyt e filloi që t’i rrudhë krahët, shikoi disa herë majtas dhe djathtas, por s’i kujtohej se s’i kujtohej vjersha.
Në sallë plasën duartrokitjet e të pranishmëve.
Driloni kokulur u largua nga bina dhe posa doli prapa
perdes ia plasi vajit.
Ju erdhi shumë keq
edhe shokëve, të gjithë e rrethuan, por nuk kishin fjalë që ta ngushëllonin.
U afrua edhe mësuesi dhe i tha: - Mos qaj Drilon, herën
tjetër do të përgatitesh më mirë dhe filloi t’ia lëmoi flokët, duke u munduar
që ta qetësojë.
-Më fal zoti
mësues, unë më asnjëherë s’do të mungoj në prova. Do të jem më i rregullt dhe
të betohem se do të mësoj më mirë, - sikur gjeti forcë
Driloni dhe u
çlirua nga fajësia që kishte bërë.
-Të lumtë Drilon!
- foli Vjosana.
-Të lumtë! - i thanë Artani dhe Ardiani. Bëre mirë e
pranove gabimin para mësuesit dhe u kapën në përqafim të gjithë shokët.
-Ashtu pra, - iu
tha mësuesi, - për festat e tjera do të dalim edhe më të përgatitur.
Dhe, njëmend ashtu
ndodhi. Driloni më asnjëherë nuk mungonte në prova. Me shokë ishte shumë i
sjellshëm, bile në konkursin e recitatorëve, që u organizua në qytetin tonë,
për nderë të Flakës së Janarit ai e zuri vendin e parë dhe mori një komplet
librash si dhuratë.
Zvicër, 1999
GABIMI I TANIT
Albani dhe Tani janë shokë të mirë. Ata mësojnë në një
klasë e janë nxënës të klasës së katërt në shkollën fillore të një qyteze të
Zvicrës.
Janë shokë të pandarë edhe gjatë kohës së lirë, në
shëtitje, në mësime edhe në shkollë. Shpesh ata shëtisin me biçikleta
shetitoreve të qytezës.
Ata çdo të mërkurë pasdite e kanë të lirë, nuk kanë mësim
në shkollë, prandaj shpeshë dalin shëtisin së bashku.
Një të mërkurë, Albani erdhi para banesës së Tanit, e
shtypi zilen dhe para derës qëndronte hipur mbi biçikletë.
Pasi doli Toni para derës, Albani i tha: - Tani, pasi që
sot është kohë e mirë unë mendova që të shkojmë në pishinën e qytetit.
Driloni ofshani njëherë u ndal ca e mendoi: - Kam shumë
dëshirë , por nuk di fare not. Më e keqja se babai dhe mamaja gjenden në punë e
unë nuk i kam pyetur fare. - Sa për not, do të të ndihmojë unë, - i tha me një
farë krenarie Albani, duke rrahur gjoksin e vet, - eja të shkojmë. Fjalët e Albanit
ia thyen mendjen
Driloni, shpejt e shpejt u fut brend, i mori rrobat për larje, pastaj edhe biçikletën dhe ikën drejt pishinës. Albani e njihte notin, pasi që në Kosovë ishte mësuar në ujërat e Drinit të Bardhë, sepse fshati i tij gjendej afër lumit dhe noti për të ishte sport i njohur, ndërsa Tani vinte nga zonat e thella të Malësisë së Vërrinit, prandaj edhe nuk kishte pasur mundësi ku të mësonte notin.
-Eja, eja, - e thirrte Albani, që notonte ujit të
pishinës.
-Kam frikë, - thoshte Toni, do të provoj ku nuk është
shumë thellë.
-Hidhu, unë do të të ndihmoj, hidhu, - fliste Albani.
Pas disa lutjeve të Albanit, Tonit sikur iu mbush mendja,
mori hov mbi pushimoren e pishinës dhe u hodh në ujë, por papritmas ai u fundos
në fund të ujit.
Këtë fundosje të Tonit e kishte vërejtur me kohë edhe
kujdestari i pishinës, i cili pa një pa dy u hodh në ujë dhe e shpëtoi Tonin
nga rreziku, pastaj e nxori në skajin e pishinës e filloi që t’i japë
frymëmarrje në gojë, derisa Toni filloi të kollitej e të vjellë.
Përreth tyre ishin
mbledhur shumë njerëz dhe më keqardhje e përcillnin ngjarjen e Tonit. Pasi u
zgjua dhe kaloi rreziku, kujdestari i pishinës e mori me veturën e tij dhe e
solli në spital, ku mjeku e konstatoi se rreziku i kishte kaluar dhe më pas ai
e solli në shtëpi.
Pas kësaj që
ndodhi, Toni, tanimë e kishte kuptuar gabimin, iu falënderua shumë kujdestarit
të pishinës dhe i kërkoi të falur me premtimin se një gabim të tillë më nuk do
ta bënte më kurrë.
Për ngjarjen e
Tonit u njoftua edhe babai me telefon nga ana e kujdestarit të pishinës, i cili
u shqetësua shumë dhe e qortoi Tonin e Albanin, të cilët i dhanë fjalë se më
kurrë nuk do të shkonin në pishinë pa prindërit dhe pa lejen e tyre.
1997, Zvicër
NË GJENEVË
Albana është një vashë nëntëvjeçare. Shkon në shkollë në klasën e dytë në një qytet të Zvicrës. U lind në Kosovë. Gjashtë vite të jetës i kaloi atje.
Babai i saj kishte
ikur nga Kosova, para se të lindte Albana, sepse kishte qenë i ndjekur nga policia
serbe. Ajo dhe vëllai i saj më i madh, Dritoni janë rritur larg babait. Pas
gjashtë viteve Albana, Dritoni dhe mamaja me shumë mundime arrijnë në Zvicër.
Albana tani i ka tre
vjet që gjendet në Zvicër. Gjuhën gjermane e ka mësuar që kur ishte në kopsht.
Babai i saj merr pjesë nëpër tubime të ndryshme dhe demonstrata, që organizohen
anembanë Zvicrës, ku në njërën nga to, ai kishte premtuar se do ta merrte edhe
Albanën. Sa ishte gëzuar ajo! Atë ditë ishte zgjuar herët e kishte pastruar fytyrën,
krehu flokët, si dhe u vesh bukur, ku në flokë ka vënë një kordele të kuqe.
Edhe babai ështe i
kënaqur kur e pa të bijën e tij të veshur aq bukur me ngjyrat kuq e zi. Kishin udhëtuar
gjatë deri në Gjenevë.
Me fillimin e pasdites
edhe demonstrata kishte filluar. Albana i ishte lutur babait që t’ia blente dy flamuj
të vegjël me shqiponjën dykrenare: njërin për ta vendosur në veturë dhe tjetrin
për ta valëvitur.
Babai ia bleu me gjithë
dëshirë. Ajo ndihej shumë e gëzuar, sa herë që turma bërtiste: Liri, liri! Edhe
ajo zëshëm bërtiste: Liri, liri dhe i ngriste dy gishta me njërën dorë. Kështu gati
gjatë gjithë protestës kishte bërtitur.
Atë e kishin fotografuar
edhe shumë fotografë dhe kameramanë të ndryshëm. Ajo ndihej shumë krenare
përpara tyre. Pasi kishte mbaruar demonstrata ata kishin marrë rrugën drejt qytetit
të tyre. Atë ditë ndihej shumë e gëzuar. Në mbrëmje u kthyen në banesë dhe e shikuan
televiziorin, që jepte inserte nga kjo demonstratë. Sa u gëzua kur e pa veten në
televizor.
E përqafoi babain dhe
mamanë dhe iku për të fjetur. Tani për çdo ditë e kujton atë demonstratë dhe u flet
me ëndje shoqeve të saj.
1997, Gjenevë
TREGIMI I VOGËLUSHËVE NGA KOSOVA
Ishin ditët e para të fillimit të mësimeve. Sapo kishim
ardhur nga Kosova. Atje e kishim mbaruar klasën e katërt, por këtu ende nuk
njiheshim me shokë dhe shoqe. Gjuhën nuk e njihnim fare, prandaj rrinim
gjithmonë në një skaj të oborrit të shkollës të vetmuar e larg shoqërisë.
Ishim shumë të
mërzitur. Vetëm një muaj kishte kaluar, që kur kishim ardhur këtu në mërgim, me
vëllain Ardianin dhe mamanë. Babai ishte që prej dhjetë vjetësh në kurbet.
Ndiheshim të humbur bashkë me vëllain tim. Shkolla, shokët, rrethi dhe vendi
gjithçka ishte e re për ne. Nga një skaj i shkollës rrinim dhe bisedonim mes
vete për gjyshin, gjyshen, të cilët kishin ngelur vetëm në Kosovë. -Kush e di
sa do të jenë mërzitur gjyshi dhe gjyshja për ne, - përshpëriti Ardiani.
-Edhe mua më ka
marrë malli shumë për ta dhe për shokët e klasës, - ah sikur të isha pëllumb do
të fluturoja deri në Kosovë. Derisa po bisedonim, afër na erdhi Kristina dhe
Tanja.
-Ejani të luajmë
së bashku, - na u lut Kristina dhe na kapi për dore. - Na thërrasin që të
luajmë së bashku, - i thashë vëllait, por ai disi me vetulla të rrudhura sikur
nuk i pëlqeu. - Unë nuk kam dëshirë të luaj, - ky Cvibli çdo ditë po më
ngacmon, prandaj nuk dua të luaj, - derisa po i afroheshim rrethit të shokëve
të klasës.
-Megjithatë, ne do të luajmë, - i thashë. Posa filloi loja, Cvibli, një djalë më i shëndetshëm se shokët e tjerë, nga prapa e shtyri Ardianin dhe e rrëzoi për tokë. Të gjithë shokët dhe shoqet u shtangën, pritnin çfarë kishte ndodhur. E ngrita ngadalë, por ishte mbushur i tëri me gjak, që i rridhnin nga hundët.
-Ti je shokoi keq,
- e qortoi Kristina, Cviblin.
-Mbylle gojën, -
ia ktheu ai dhe filloi që të qeshte. Nga ironia e tij nuk arritëm që të
përmbaheshim dhe filluam ta sulmojmë, Cviblin, derisa e rrëzuam për tokë.
-Çfarë ka ndodhur?
- thirrte mësuesja, që vinte me vrap drejt turrmës së nxënësëve.
-Mësuese, mësuese,
Cvibli për çdo ditë i ngacmon, - ndërhyri Kristina.
Mësuesja hyri në mes dhe na ndau. Tanimë edhe Cvibli
ishte i përgjakur. Ajo na mori të treve me vete dhe na çoi në klasë, na qortoi
, por ne as që e kuptonim fare se çfarë thoshte.
Në fund shkroi një
letër dhe ma dha në dorë që t’ia japë babait.
Babai, zakonisht,
vinte vonë nga puna, ndërsa letrën ia dhashë mamasë, që t’ia jepte babait,
ndërsa unë dhe vëlliu shkuam për të fjetur.
* * *
-Mirëmbrëma, – i tha mamaja.
-Mirëmbrëma, kanë fjetur fëmijët?
-Sonte më herët se gjithmonë, - foli mamaja, bile edhe
një letër mësuesja ua kishte dhënë për ty.
-Duhet të ketë ndodhur diçka, sepse zonja Zog ka kërkuar
në letër që nesër urgjentisht të shkojë në shkollë.
-Nuk thanë gjë fëmijët?
-Jo asgjë, - u përgjigj mamaja, duke i rrudhur krahët.
T’i zgjojë nga gjumi?
-Jo, - insistoi babai, do ta marrim vesh nesër. Bisedën e
babait e kishim dëgjuar të tërën, sepse fare nuk na merrte gjumi nga frika se
si do të reagojë babai pasi ta marrë vesh ngjarjen.
-Duhet të kenë bërë diçka të keqe në shkollë kam një
parandjenjë jo të mirë, - tha babai.
-Po nejse , të presim deri nesër, – tha babai dhe iku në
gjumë.
Të nesërmen mësuesja i kishte treguar të gjithë ngjarjen
babait.
Ai ishte zemëruar shumë me ne. Ishte turpëruar edhe para
mësueses pë veprimin tonë, por i kishte premtuar se më kurrë nuk guxojnë të
ndodhin gjëra të tilla. Mësuesja i kishte thënë se do të angazhohej më tepër
për sjelljet e Cviblit dhe do të bisedojë me babain e tij.
Babai ishte i zemëruar. Ishte ulur e po shikonte
televizorin. Po e pret kthimin tonë nga shkolla.
-Çfarë keni bërë në shkollë? - na tha babai.
E dinim se i kishte treguar mësuesja.
Nuk flisnim asnjëri, as unë e as vëllai. Na vinte turp se
i kishim sjellë probleme babait. Ai kishte mërzinë e vet. E mundonte aq tepër
lufta në Kosovë.
-Na fal babi, - i thashë, më kurrë s’do ta përsërisim një
veprim të tillë. Edhe vëllai i vogël i kërkoi falje dhe iu hodhëm në përqafim.
Babait i dhamë fjalën se me shokët dhe shoqet e klasës më
kurrë s’do të grindemi. Të nesërmen edhe mësueses, por edhe të gjithë shokëve e
shoqeve u kërkuam falje, por edhe Cvibli ishte përmirësuar dhe u pajtuam. Prej
asaj dite e këtej me Cviblin jemi shumë shokë të mirë, luajmë edhe futboll
bashkë për ekipin e qytetit dhe ai shumë gëzohet kur unë jap gola në sulm, në
portën kundërshtare.
Zvicër, mars 1999
LETËR GJYSHIT
Sot, Xhineta, i kishte mësuar të gjitha shkronjat e
alfabetit në shkollë. Vraponte e gëzuar me çantën në dorë drejt shtëpisë, që
t‘i tregonte sa ma parë nënës dhe babait, se tanimë dinte edhe të shkruante.
Gëzimin e saj po e
vërente nëna nga dritarja e kuzhinës, ku po e përgatiste drekën.
-Nënë, – thirri
vogëlushja, derisa po hynte në derë.
-Tani di të
shkruaj dhe u hodh nënës në përqafim.
-Të lumtë, bija
ime, të lumtë! - e shtrëngoi nëna në përqafim dhe e puthi në faqe.
-Të lumtë,
vogëlushja ime! – përshpëriti babai nga prapa.
-Tanimë i kam
mësuar të gjitha shkronjat, baba dhe iu hodh në përqafim, - do t‘i shkruaj edhe
gjyshit një letër, që t‘i tregoj se kam mësuar të shkruaj.
-Sa do të gëzohet
gjyshi kur ta shohë letrën tënde, – i tha nëna, duke ia lëmuar flokët, Xhinetës
dhe vazhdoi punët në kuzhinë, ndërsa babai e mori Xhinetën për dore dhe hynë në
dhomën e ditës, për t‘i shkruar letër gjyshit.
Xhineta mori një fletë dhe lapsin e nisi të shkruajë
letër.
Papritmas ajo e hodhi lapsin mbi tavolinë dhe filloj të qajë: - Unë nuk di ta shkruaj fjalën gjysh, - unë nuk di të shkruaj shqip, - fliste e zemëruar.
-Qetësohu moj
bijë, qetësohu, - e mori në ledhatim babai, - edhe atë do ta mësojmë.
-Alfabeti ynë ka
më shumë shkronja ato janë tridhjetë e gjashtë, pra ka më shumë se alfabeti i
gjuhës gjermane.
-Unë dua ta mësoj
edhe alfabetin tonë, – fliste duke dënesur Xhineta.
-Do ta mësosh, do
ta mësosh, – ia lëmoi flokët babai dhe u zgjua nga vendi.
Nga mesi i librave të veta e nxori një abetare, që e
kishte sjellë nga Kosova, kur kishte qenë për pushime.
-Kjo është
abetarja jonë, mojë bijë, këtu është i
shkruar alfabeti i gjuhës shqipe dhe ia vuri përpara
librin, Xhinetës. Më pas filloi t‘ia mësojë shkronjat, të cilat nuk i kishte
mësuar në alfabetin e gjuhës gjermane.
Xhineta filloi që
të buzëqeshë dhe me një interesim të madh përqendrohej në mësimin e babait.
-Është më e mirë
abetarja jonë, ajo na mëson më tepër, - përshpëriti me një zë të ëmbël Xhineta,
që tani më ishte qetësuar.
-Po bija ime ajo
ka më shumë shkronja, na mëson më tepër.
Pas tri ditë mësimi me babain, Xhineta i mësoi edhe shkronjat,
që nuk i kishte mësuar në shkollë dhe u gëzua shumë.
-Tani di të
shkruaj, – kërcente nga gëzimi nëpër dhomën e ditës, Xhineta.
Mori një letër dhe lapsin dhe i shkroi gjyshit dhe
gjyshes në Kosovë.
-Nënë, – thirri
Xhineta, sa do të gëzohen gjyshi dhe gjyshja kur ta marrin letrën.
-Të lumtë, bija
ime!
-Të lumtë! – i
uroi babai Xhinetës.
-Të faleminderit
baba, – iu falënderua Xhineta, që ia mësoi të gjitha shkronjat.
Xhineta e mori letrën dhe vrapoi deri në postën më të
afërt të qytetit, në sportelin e postës,
xhaxhi i tha: - Dua që këtë letër ta dërgoj në Kosovë, -
ia dha letrën xhaxhait në sportel dhe të hollat për pullën postare, që ia
kishte dhënë babai dhe u kthye e gëzuar në shtëpi.
Zvicër, 1999
LULE PËR MARTINËN
Fare afër fushës së tenisit, ku ushtron Martina, banon
edhe Xhineta, një vogëlushe shqiptare nga Kosova, e cila ka ardhur para dy
vjetësh me babain në Zvicër.
Ajo çdo ditë, në
kohën e lirë, zbret në fushën, ku ushtron Martina dhe fillon që të luajë nëpër
fushë me topa tenisi.
Martina e do shumë
Xhinetën, bile shpesh ajo i bënë edhe dhurata.
Këto ditë Martina
gjendet në një turne tenisi, në Australi. Atje e ka fituar çmimin e parë në
garën e tenisit, për femra, ndërsa Xhineta është mërzitur shumë dhe mezi e pret
kthimin e saj.
Xhineta sot është
zgjuar herët, është pastruar, i ka larë dhëmbët, është krehur, bile në flokë ka
vënë edhe kordele.
Ndërsa, mamaja që e di arsyen e gëzimit të saj, sikur
dëshiron ta provokojë ca.
-Dukesh shumë e
bukur, Xhineta, – i tha nëna.
-Faleminderit,
nënë, – iu përgjigj me zërin e saj të ëmbël dhe iu hodh në përqafim.
-Sot do të kthehet
Martina, do të dalë i tërë qyteti që ta presë atë nënë, - i tregon Xhineta.
-Do të dalësh edhe
ti, – e pyeti nëna Xhinetën.
-Po nënë, patjetër
ajo është shoqja më e mirë imja.
-Më do shumë,
shpesh më mëson të luaj tenis. Unë dua t’ia bëj një tufë lulesh dhuratë asaj.
-Po, bija ime, –
iu përgjigj mamaja, me gjithë dëshirë, do të gëzohet edhe Martina kur të të
shohë.
-Po mami, por unë do t’ia bëj dhuratën nga të hollat e
arkës sime.
Qeshi mamaja e i tha : - Po ti blen babai, mojë
bijë, lulet.
Xhineta e ka një
arkë të vogël, që herë pas here babai i saj të hollat që ia jep i ruan, që kur
të rritet, ato të holla t’i ketë për vete.
-Unë kam dëshirë
që nga të hollat e mia t’i blej lulet për Martinën, mami.
-Jo bijë, babai
nuk ka dëshirë që t’i harxhosh ato të holla, ato do të duhen kur të rritesh,
babai do t’i blejë lulet më të mira.
Xhineta sikur e hetoi këmbëngulësinë e nënës dhe më nuk
deshi që ta zgjasë bisedën.
-Mirë, mami, – sikur e pranoi kërkesën e mamasë.
-Sa të rregullohet
babai dhe dalim së bashku.
Pasi u rregulluan
babai edhe nëna, morën rrugën për në lulishten e qytetit. Aty, Xhineta zgjodhi
një tufë lulesh, kurse pagesën e bëri babai.
Pastaj Xhineta së bashku me babain dhe mamanë dolën
në qytet për ta pritur Martinën. Kishte dalë i tërë qyteti.
Xhineta mezi e
priste ardhjen e Martinës. Papritmas u duk vetura e saj. Të gjithë njerëzit e
pritën me duartrokitje, hidhnin lule përmbi veturën e saj, ndërsa Xhinetën nuk
e zinte vendi, që ta takonte sa më parë.
Para fushës së
tenisit, xhaxhi shoferi e ndali veturën dhe nga ajo doli Martina me një
medaljon në qafë dhe një kupë të artë, që e kishte fituar në Australi.
Drejt saj vrapoi
vogëlushja, Xhineta me lule në dorë : - Këto lule janë për ty Martina, -
urime, urime, urime, - përshpëriti Xhineta dhe iu hodh në përqafim.
-Faleminderit Xhineta, faleminderit shumë, paske dalë
edhe ti sot dhe e puthi në faqe vogëlushen e vogël shqiptare.
-Sa më ka marrë
malli për ty, nuk kam luajtur fare këto ditë, vetëm pranë televizorit e kam
përcjellë lojën tënde, sa jam gëzuar.
-Faleminderit, - i
tha edhe njëherë Martina dhe e përqafoi, pastaj ajo u ngjit në binë, ku ishte
përgatitur më parë, që ajo të mbajë një fjalim para qytetarëve të tubuar.
Ceremonia e
kremtimit vazhdoi deri në mbrëmje, ndërsa Xhineta e vogël nuk i ndahej
Martinës.
Ceremonia vazhdoi
deri natën vonë, ndërsa Xhineta me babain dhe mamanë u ngjitën lart në banesën
e tyre fare pranë fushë së tenisit, ku ushtronte Martina.
Atë natë edhe
Xhineta ndihej shumë e kënaqur. Para se të shkonte në gjumë iu falënderua
mamasë dhe babait, që ia kishin plotësuar dëshirën dhe shkoi për të fjetur.
Zvicër, 13.2.99
NË BJESHKËT E HAIDIT
Dielli vetëm sa i kishte lëshuar rrezet në dritare.
Mimoza sapo ishte zgjuar. Atë gati tërë natën nuk e kishte zënë gjumi, nga
meraku për shëtitjen, që i kishte premtuar babai këtë fundjavë në bjeshkët e
Haidit.
Mimoza vetëm sa i ka mbushur tetë vjet dhe shkon në
klasën e parë të shkollës fillore, në një qytet të Zvicrës.
Tani i ka mbushur dy vjet që ka ardhur së bashku me
babain në Zvicër, por asnjë herë nuk i hiqet nga mendja vendlindja. Çdo ditë i
kujton shokët dhe shoqet atje në Kosovë.
Fundi i javës për Mimozën vjen shumë i gëzuar, sepse
babai i saj i ka dy ditë të lira dhe ato i shfrytëzonë për shëtitje dhe vizita
e që edhe Mimoza shkon me ta.
Që prej asaj dite, kur e ka shikuar në televizor filmin e
vizatuar për vogëlushen, Haidi, Mimoza vazhdimisht i kërkon babait, që të të
dalin në bjeshkë, pasi që jetojnë fare pranë tyre.
Këtë të shtunë ata kanë vendosur të shkojnë në shëtitje.
-Mirëmëngjesi babi, mirëmëngjesi mami, - i përshëndeti
Mimoza dhe nxitonte që sa më parë t’i pastronte faqet dhe dhëmbët, si dhe të
bëhej gati për shëtitje, pastaj i krehu flokët dhe u vesh.
-Sa e hershme na qenke bërë sot, Mimoza, - i tha mamaja.
Mimoza sikur u ndie krenare dhe mori guximin që të nxitojë sa më parë për t’i bërë gati këpucët për në bjeshkë.
Pasi u përgatitën dhe i bënë gati gjërat ushqimore, e
hëngrën mëngjesin e u nisën me veturën e babait, deri ku ishte fundi i rrugës
automobilistike.
-Unë do të ec e para, - tha Mimoza dhe nisi që të vrapojë
drejt bjeshkës përpjetë.
Babai dhe mamaja, shpesh ndaleshin dhe pushonin, ndërsa
Mimoza vazhdimishtë ecte e
Para. Dëshira që të arrijë sa më parë lart në bjeshkë e
mundonte së tepërmi.
-Ty nuk ta kalon askush sot, Mimoza, - i tha mamaja me
gjysmë zëri, sepse ishte mbushur frymë nga lodhja.
-Dua të arrij sa më parë, mama dhe hapi krahët, e nisi
vrapin duke thirrur: « Haidi, Haidi,Haidi ! »
Këndonte këngën e
Haidit në gjuhën gjermane, të cilën e kishte mësuar nga televizori.
Më në fund, pas një rruge të gjatë dhe të lodhshme, që e
kishin bërë, babai, mamaja dhe Mimoza, arritën në shtëpizën alpike, ku sipas
legjendës kishte jetuar vogëlushja Haidi me gjyshin e saj.
Ajo ishte një shtëpizë e vogël, rrëzë bjeshkëve, brenda
ishin disa enë, të cilat i kishin shërbyer gjyshit të Haidit, për mjeljen e
bagëtive, si dhe disa enë të tjera, që ishin përdorur për përgatitjen e
ushqimit.
Mimoza dukej shumë e lumtur, sepse asaj i ishte plotësuar
ëndrra dhe dëshira, që e kishte munduar prej kohësh.
Babai sikur e kishte hetuar gëzimin e Mimozës dhe sa për
ngacmim e pyeti: - U kënaqe, Mimoza?
-Po babi, - iu përgjigj ajo, - të faleminderit shumë që
ma plotësove dëshirën, - iu falënderua vogëlushja.
Dita kishte ikur, derisa të tre kishin drekuar me
ushqimin, që e kishin marrë me vete dhe kishin shëtitur bjeshkëve përreth.
-Tani mund të shkojmë, - propozoi Mimoza. Edhe babai që e
kishte kuptuar se vogëlushes iu plotësua e gjithë dëshira, që e kishte pasur,
për t’i bërë vizitë shtëpizës së Haidit, u pajtua me propozimin e së bijë dhe
morën rrugën teposhtë bjeshkës.
Pasi ishin kthyer diku rreth mbrëmjes, Mimoza mezi kishte
pritur të hanin darkë, të pastrohej dhe më pas të shkojë në gjumë.
Ajo atë natë fjeti shumë e qetë nga lodhja e rrugës, që e
kishte bërë, ndërsa të nesërmen u zgjua shumë e lumtur dhe me plot kujtime për
vizitën në shtëpizën e Haidit.
Zvicër, 1999
UDHËTIMI PËR NË KOSOVË
Ardi i vogël ka dy vjet e gjysmë që jeton në Zvicër. Shkon në klasën e pestë, ndërsa sivjet për pushimet e tetorit, ka vendosur që me babain, mamanë e vëllain, Artanin, t’i kalojnë pushimet në
Kosovë, pasi që atje tashmë lufta ka përfunduar. Ka ditë që
as gjumi nuk e zë.
Ai ka mall për gjyshin e gjyshen; djalin e xhaxhait, Durimin;
për shokët e shkollës në Kosovë. Çdo ditë ai flet për shokët se çfarë do t’u dërgojë
atyre për dhurata; si do të kalojë atje. Shpesh humbet në mendime dhe koha nuk i
shkon. Ditët i numëron në kalendar dhe i thotë babait se sa të gjata më duken këto
ditë,
ndërsa babai e qetëson,
duke i lëmuar flokët dhe i jep shpresë. Natën e fundit, përpara udhëtimit, ai as
që vuri gjumë në sy, gjithë natën këndoi më vete e s’përmbahej dot nga gëzimi.
Të nesërmen fluturimi i aeroplanit ia mbushi fytyrën me buzëqeshje. Shpesh e pyet
babain: - Kemi edhe shumë udhëtim, babi? Pastaj shikon nga dritarja e vogël e aeroplanit.
-Ja edhe pak, sa të kalojnë
dy orë dhe do të aterojmë në aeroport, - i përgjigjet babai. Pas dy orësh, aeroplani
aterroi në aeroportin e Shkupit, prej nga pastaj me autobus vazhdoi rrugën për
në Kosovë.
Ardi qëndronte i heshtur dhe nganjëherë e pyeste babain: -
Kur do të hymë në Kosovë?
Bjeshkët që e përcillnin rrugës gjarpërore e sollën në hyrje
të Kaçanikut, pa pritmas u thye heshtja:
- Ja, Kosova! - tha me zë të lartë Ardi dhe u gëzua
shumë, - i shihni ato shtëpi të djegura, erdhëm në Kosovë, - iu drejtua babait.
- Prej ku e di, - e pyeti babai Ardin sa për kuriozitet.
- Ja tha, kjo është
Kosova, këto shtëpi të djegura i shikoni, - i ka djegur Serbia. I kam parë në
televizor, të kujtohet babi? - e pyeti.
- Po, po, - tha
babai. Shikimi i tij tretej atyre shtëpive mbi shpatije, të bëra shkrumb e hi
nga barbaria e armikut.
- A kemi edhe
shumë rrugë, babi, deri në fshatin tonë ? - e pyeti Ardi.
-Kemi edhe një
orë, - i tha babai. Vështrimi e tij tanimë ishte bërë i dhembshëm. Ai e mbylli gojën
e nuk fliste më fare, ndërsa shikimin e mbante jashtë dritareve të autobusit,
kah shtëpitë e djegura.
Edhe pse babai vazhdimisht
e ngacmonte, ai nuk fliste fare. Skenat e shtëpive të djegura, që i shfaqeshin
nga dritarja e autobusit, sikur ia vodhën gëzimin e kthimit në atdhe.
Gjatë gjithë rrugës,
deri në fshatin e tij nuk e foli as një fjalë më. Vrapi i tij drejt përqafimit
të gjyshes e mbushi me lot mallëngjimi e përqafoi fort gjyshin e gjyshen. Eh,
sa u çmallën atë mbrëmje!
Tetor, 1999

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen