Sonntag, 19. Juni 2022

Gezim Ajgeraj poezi, Vegimet e heshtjes, recension nga Prenda Sejdia, Lezhë




Pasthënje

 

Libri “VEGIMET E HESHTJES” nga Gëzim Ajgeraj 

 

VEGIMET NË KALEODOSKOPIN KRITIK

 

1. Nëpër vegimet e përmallimit  

 

Libri është një realizim i bukur poetik dhe estetik.

Që nga poezia e parë, grafikisht është e realizuar me mjaft profesionalizëm, ku përjeton përplasjet e dallgëve të fuqishme, pra krejt ndryshe nga ç'pretendon, kështu që gjendesh ndërmjet erërave të fuqishme.

     Në brendi të librit gjen oqeanin e thellë poetik brenda së cilit valon dhimbja e ikjeve apo edhe e moskthimeve. 

Vegimet e përmallimit seç ngrohin çastet e heshtjes vrastare, ku dita merr imazhet e kristalta.

    Ky interpretim poetik në këtë rast merret jo vetëm në kuptimin e interpretimit të artit poetik, porse fjala që formësohet dhe paraqitet në variacione në gjithë hapësirën poetike të metaforizuar, çastet po ktheheshin në vegime, dhe i djegur nga ky përmallim.

    Kur kulla braktisej që moti, e plisbardhi ulet mbi gur, para derës e këndon këngën në stinën e heshtjes.

Sa i ndjeshëm është prezantimi mbi vegimet e përmallimit poetik të këtij vëllimi.

- A thua, edhe hyjnitë paskan qenë kundër njerëzimit?!

Këto poezi kaq të rralla në shqip, të cilat kërkojnë jo vetëm ndjeshmërinë e shpirtit të madh dhe forcën estetike, por e shtyn lexuesin të njësohet me të, dhe ndodh ajo që gjendet te forca frymëzuese e letërsisë dhe kthehet pishtar i dritës në shoqëri. 

"VEGIMET E HESHTJES " është një vëllim poetik që të magjeps me stilin e veçantë.

Efekti kohë është kategoria themelore filozofike ku përmes metaforave prek dimensionet e saj.

    E djeshmja, e tashmja dhe e nesërmja, ku përmes imazheve sjell mendime të fuqishme e befasuese, si poet novator, por dhe si tip nacional i të menduarit reflektiv si një element bazë, ka ngritur artin poetik  gradualisht në shkallë- shkallë deri në nivelet më të larta të poetikës shqiptare, trajtuar me sensibilitet bashkëkohor e gjuhë moderne poetike.

    Ama, ndjenja e mallit e shtyn poetin të meditojë çdo çast me dhimbje shpirti për vendlindjen.

Goja i këndon e shpirti i qan se ditët po kalojnë pa shijuar ajrin e Kosovës,  e vegimet kalojnë si dritë-hije para syve të veshura me mall për të tri kohët e lartpërmendura.

    Ky vëllim vjen bujshëm me shumë dimensionalitet tematik e letrar, që përjetëson duke mishëruar lëmin letrar në këtë krijimtari ku dëshmon se është zëri i mëmëdheut duke zënë vend në arealin e letërsisë shqipe, pasi e dëshmon edhe në atë ndërkombëtare. 

    Autori, psikogjikisht e në mënyrë figurative i drejtohet çdo pene se ndriçimi është në duart e tyre, por duhet të zotërohet.

    Mos të na vorbullohen fjalët thotë autori, as lojërat symbyllurazi, apo të kapa - më kape, sikur nuk e kanë efektivitetin në letërsi  apo të gjuajmë me romuzë, ndërsa për teka humori qëndron këmbëkryq. 

    'POETI CLEAR', i përket rangut të lartë të krijuesve, sidomos në poetikë, dhe duket se ka lindur poet, edhe atë, poet i mallit, të cilin, poetin, ky togfjalësh e bën edhe më të veçantë e të pavdekshëm, ndërsa rikthimi e pret ashtu siç pret diellin në mëngjes qielli i kaltër e i porsaikur, yjet,  dhe në letërsi e art mbetet hare e përjetshme mes gjithë fenomeneve dhe efektit kohë.

 

2. Krekosje fjalamanësh në arenën e fjalës 

 

"Kur kërcasin flakët e kuqe në vatrën plot shkarpa të thata, ku ibriku i çajit valon e këndon, dhe ku krijesat pa dëshira të mëdha e izolojnë veten nga rrebeshet e babëzitura nga kokëkrisjet e hazdisura të botës”.

    Dëshira, t'u mësohet poezia e përditshmërisë gjithë atyre që gjenden mbyllur në rrethin e ngushtë të së përditshmes, është e madhe.

    Poeti, Ajgeraj, në vegjmë ka skemën e fjalës e krekosjet e thata të fjalamanëve ku gojën shpesh ia mbyll zemërimit e hijerëndë është heshtja, ndërsa muret bien.

    Lëvdata e dekorata shkundin pluhurin e pritjes, e në arenën e kotë të fjalës zien neveria.

    Fjala është për dëshmi se varianti metaforik sfidon poetikisht kohën kolektive edhe në vazhdimësinë ekzistenciale të qenies.

    Në shumë porosi që rrezatojnë nga këto poezi, ndërlidhet bindshëm "Krekosje", në të cilën mbizotërojnë shumë qartë reflekset, si:

 

1. Refleksi i nxitur 

Zemërimit shpeshherë i mbyll gojën

E pi helmin e heshtjes

 

2. Mashtrime e lëvdata pa rezultate pune.

3. As ujë për fytin e muzës e qetësinë e mendimit. 

Qortim të madh drejton poeti dhe bart tension tematik dominues në këto poezi.

Tjetër refleks është hipokrizia që sado diskret përpiqet të jetë, zë fill brenda atyre hemisferave të shpirtrave të djallëzuar, që në jetën reale është një fenomen mjaft i takuar,  por autori i sjell simbolikisht të artikuluar me elemente që përbëjnë korpusin metaforik të kështjellës shpirtërore, e në themel të thellë, Gëzim Ajgeraj është ëndërrimtar i vërtetë e besnik i qëndron universit të vet dhe jeton me iluzionin e përtërisë.

    I rrëmbyer nga vizionet evropiane, poeti depërton përtej mureve atje ku të tjerët nuk mund të arrijnë dhe sheh pjesën e ëndrrës me gotën gjysmëplot, pra hedh shikimin tej horizontit të njerëzve.

    Poeti e përjeton shqetësimin e bartësve të ndarjeve.

    Liria universale, thotë Ajgeraj, fillon nga vetja dhe realizohet te të tjerët, dhe  vetëm kur është e vërtetë vazhdon në vete pa krekosjen kokëfortë e mediokër.

Autori bart mbi vete misionin e artbërjes poetike, me vizionin, madhështor si shtyllë formimi e përhapje dritë e dije në gjithë hapësirën shqiptare e më gjerë, si përfaqësues i tërë këtij shtresimi të botës shqiptare.

 

 

 

3. Me vargun ta ndezim kandilin e shekullit

 

Poezia e Ajgerajt bën një jetë të plotë në një botë të gjallë, ku zë fill e vend brenda shpirtit poetik të autorit, e vjen si një tis me fije të forta e të argjendta përmes zemërgjerësisë së tij, ku i bën mjaft të kuptueshme anët e bukura përmes dashurisë njerëzore që në shpirt e ka të mbjellë përgjithësinë e madje duke filluar nga gjërat më të vogla, shkronja apo fjala, kujdeset për to e i kthen në varg, i shndërron herë pas here në mitologji të re, ama, tejet poetike.

Assesi nuk e lejon t'i thyhet vargu, madje vjen me porosi "mos u thyej vargu im".

Ka arritur të nxjerrë kuptim të thellë edhe nga kremtimet më të parëndësishme.

Ai ka mësuar të thurë poezinë e jetës e me vargun kërkon këtë në numrin shumës, që ato ndjenja befas lëshojnë zukamë të lehtë dhe e merr shtruar si në zakonet e vjetra që jetës i këndohej kënga në oda.

Poetit i duhej vullnet për një art të rehatshëm, por ai e kupton e nënzëshëm e thotë se duhet të aspirohet përtej çdo gjëje, edhe përtej së pamundurës, se në cep të diellit, mendimit i ngritëm shpresat e së nesërmeve, se shpresën s'na e prangosin dot hienat e ndjekjes.

 

-Ditëve më të errëta, ndizen kandilat e shpirtit,  s'e shuam shpresën e dritës

- Heu vargu im sa të paskam munduar

me hallet e mia e të Kosovës 

- Mos u thyej vargu im

ashtu siç nuk u thyhem kurrë

nga asnjë furtunë 

 

Autori thotë, jemi rritur bashkë e fatin gjithsesi të përbashkët kemi.

    Arti i tij është i ushqyer me etjen për një atdhe të pastër e të lirë, dhe moralin e fortë e ndjenjën e thellë, ndaj edhe në veprat e tij gjendet ajo forcë e jashtëzakonshme poetike ndonëse i shkrumbuar ndër dekada të përmallta me zjarrin në zemër e prush në shpirt.

    Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në poetikën e Ajgerajt, ku pa diskutim e marrim si mesazh dhe ndaj shfaqet si rezultat i saj që flitet për atdheun ku elementi kryesor është njeriu.

Rrëfimi shtron çështjen e bashkëkohësisë dhe asaj çfarë kërkon të realizojë, pra, është përpjekja dhe insistimi i rrëfimit poetik, pa dashur t'i japim kuptimin porosisë së imponuar, por ka fuqinë e vet bindëse. 

   Arti poetik i Ajgerajt është një shpirt i trazuar, siç ndodh me motin në stinë vjeshte, që shpesh nuk gjen qetësi. 

    Ai bredh në botën e vargjeve, në këtë kërkim gati dramatik dhe nga uni i tij personal shtyn përpara një botë, i bëhet frymëzim vlerave të saj, se tashmë poezinë e tij e ka njohur, e ka kuptuar e ka mirëpritur poezinë e tij për shkak të vlerave të të bërit art, por jo vetëm pasi artikulon vizionin për Kosovën për kombin, ky meteor i letërsisë bashkëkohore shqiptare që prek modernen i frymëzuar nga vlerat e saj.

    E mbyll këtë nëntemë me një thënie nga Borgesi, e cila përmban shumë domethënie.

Koha është lënda prej së cilës unë jam bërë.

    Koha është një lumë që më merr mua me vete, por unë jam lumi, është një tigër që më përlan mua, por unë jam tigri, është një zjarr që më shkrumbon mua, por unë jam zjarri.

 

4. Vërrini në vargun poetik

 

    Fantazisë së mahnitshme e cila fluturon porsi shqiponjë përmbi atë botë të gjerë të Malësisë së Vërrinit, duket kënaqësia e thellë e brendshme, ku qëndron si një peshë e rëndë mbi vullnetin e jashtëzakonshëm artistik.

    Autori sodit çdo skaj dhe nuk e dëshiron të jetë ndryshe nga ç'është.

Në shpirtin e Ajgerajt është e ngritur dashuria mbi folenë e Malësisë, kështu që  vullneti i madh artistik bën ta vlerësosh botën e tij pasi sundon realiteti dhe e pranon si askush tjetër,  e pikërisht për këtë gëzon autoritet të veçantë me të cilën ushqen kreativen mbi leximin në epokën e sotme të kulturës, por dhe gjithë aspektet e fjalës. 

    Në letërsinë e sotme bëhet gurthemeli dhe gjithnjë përsos normat dhe kriteret, ndaj kërkon ngritje të nivelit krijues për sferat e letërsisë.

    Ajgeraj gjendet këmbëkryq mbi traditën vërrinase. Ndonëse larg vendlindjes, bisedon për dëshirat dhe këngët ndër kulla e t' ia marrin këngës për të nesërmen e shpresave. 

 

Malësia gjallon bash si në kuptimet e moçme

E nëna plakë ende s'i është dorëzuar moshës

Bulmetin plot, dardha e molla rrush nga vreshta

Por ç'ka se mosha  mua e asaj na janë zbardhur kokat

Malli na ka përvëluar e loti sy s'mban më komandë,

se jemi djegur për së gjalli nëpër ylberet e largësive,

e kthimet me vjeshtën e mbi tri dekadave lotojnë etjeve

Por kënga nëpër Vërri përsëri merr jehonë

 

    Bekuar është Vërrini me këtë poet i cili ka përmasa e diapazon të gjerë, pasi mbi tri dekada krijon për vendlindjen e i çan halle e derte, e i këndon ato në zë bilbili.

    Poezia e Ajgerajt vjen si një zë i thellë e gati tronditës për realizimin e ëndrrës.

Njësh bëhet me dhimbjen e mallin.

I madhi Ajgeraj e ka arritur natyrshëm këtë prani të vetvetishme, por mungesa e realizimit të ëndrrës ngjan si zbrazëti e pangushëllueshme.

    Krijimtaria e Ajgerajt, në gjuhën e shkruar të magjeps me madhështinë dhe gjithë bukuritë imponuese bart në vetvete fjala, plot dije universale, e na bën ta përjetojmë brendinë e këtij universi.

    Poezinë e artin letrar e bëjnë poetët misionarë të cilët nuk kushtëzohen nga rrethanat, por i nënshtrohen fuqisë së talentit.

    Ndaj, poeti Ajgeraj është referencë e spikatur e poezisë moderne shqiptare. 

    Universaliteti është bazamenti i krijimtarisë së Ajgerajt.

Poeti komunikon natyrshëm përmes mendimit të lirë, kështu që lind shumëkuptueshmëria e në pah dalin denduria stilistiko-semantike e vëllimit, ku teksti mbetet i perceptueshëm, ku aftësitë komunikuese gjallërohen vazhdimisht.

    E kupton sa magjepsës e madhështor është fjalori i përdorur plot shprehje metaforike ku brendia e pasuron artistikisht me brendi universale.

 

5. Mesharrimit sythet pipojnë frytin

 

Sa tunduese janë krijimet e Ajgerajt, ndaj gjatë studimit konstaton strukturën brilante të botës shpirtërore të autorit, pra e gjithë hapësira ku rritet letërisa e më konkretisht arti poetik, si dhunti e një shkrimtari shumë dimensional ku porositë vijnë në mënyrë graduale plot sinjale e thirrje madje.

Dhe këto të thuash janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Prandaj, poeti e ka vështirë të shkëputet nga e kaluara e ndaj ngjan sikur e ardhmja do jetë shumë vigjilente, sepse në një farë mënyre është prezent,  prandaj nuk mund të harrohet, edhe kur shigjetat janë të drejtuara kah e ardhmja.

    Të qëndrosh larg, arsyet janë të shumta, ndaj pema e atdheut, degët ende i ka degdisur.

    Vargjet poetike kanë disa motive e mjaft imazhe  që në lexim të parë duken mallëngjyese dhe në shqyrtim. Autori e thotë mjaft qartë shqetësimin në këtë përmbledhje poetike shpreh dhimbjen për vendin, se dashuria  për mëmëdheun e gërryer më së shumti.

Kur porti i këndon 'pemës së degdisur' duket se ngjet me Drinin e Bardhë apo Lumëbardhin, që vërshojnë dhe nuk dalin nga shtrati.

    Sepse, Kosova mban gjithçka që e karakterizon jetën.

Ajgeraj, është një kampion i zotërimit të cilësive poetike, e konkretisht fjalës në gjithë aspektet e saj, pra fjala si aspekt arti.

    Pavarësisht kufizimeve, ajo është e shtrirë në kohë. Pasi, veprat e këtij autori që sot numërohen plot 200 me cilësi të lartë ideologjike e stilistikore  duke prekur e lëvruar gjithë zhanret letrare por, duke njohur e përdorur stile e elementet e ndryshme për një letërsi bashkëkohore shqiptare, madje duke i konkurruar letërsisë evropiane.

    Gëzim Ajgeraj, them se nuk jeton dot pa poezinë, pasi ka arritur synimet, duke përvetësuar arritjet më të mira poetike dhe nivelet më të larta të krijimtarisë së saj, duke dalë nga guaca e poetikës së djeshme e të sotme për një poetikë moderne në stilistikë.

    Ajgeraj, nuk dallon vetëm për kultivim të stileve e zhanreve të ndryshme, por dhe për moralin e fortë e shpirtin njerëzor dhe dëshirën që ka për cilindo krijues të ngrihen në nivelin e artbërjes.

    Pra, ky përçues i letërsisë së mirëfilltë, ku premton dhe jep nga vetja plot profesionalizëm, ndërton dhe s'resht së punuari, duke i sjellë vlera të mirëfillta lexuesit dhe letërsisë.

    Se ku do e mbërrijë Itakën, e ka tërësisht të qartë, prandaj rrugëtimi i tij kaloi tri dekada dhe siç duket rruga është ende e gjatë, madje ecën me ritme të shpejta, i qartë dhe dinamik, duke i caktuar norma e kritere letërsisë.

 

Degët e moçme një e nga një po i gërryen koka

Lidhja me trungun shkëputet përditë

Stinët tmerrshëm i fryjnë përditë

Stinët tmerrshëm i fryjnë harrimit

Mbeten sythe pa trung nëpër degët e degdisura

    Kënga e Ajgerajt lind për të rilindur sërish dega e shëndetshme e atdheut, e në do kthehej në të kaluarën, do risillte lidhshmërinë e pipave  që gjendeshin diku në Alpet evropiane dhe përpjekjeve që bën për pemën e mëmëdheut e ditët e bardha që janë sot.

    Eh, vendi ku u jep jetë njerëzve e kryesisht kur janë të lidhur me të, por dhe e çmojnë.

    Prandaj, malli, dashuria, nostalgjia e moskthimit, poetin e 'detyrojnë' të ëndërrojë dhe të imagjinojë në shumë etapa  e lutjet janë të mos mbesin dëshira dhe ëndërrime, e poeti, pret.

    Poeti pret që pema të mbushullojë nga lulëzimi.

    Gëzim Ajgeraj shpalos shpirtin e tij human, dashuri e ndjenjë për atdhe e komb, ndaj kuptojmë se poezia e tij, buron nga thellësia e shpirtit si ndjenjë, vizion e dritë për një të ardhme më të mirë.

I uroj Ajgerajt dhe poezisë tij shumë dritë e refleksion e sa më ndjeshëm për lexuesin duke vazhduar më tej me kultivimin e artit poetik.

 

                     Prenda Sejdia 

                   Lezhë Maj 2022


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen