Gëzim Ajgeraj
KUR POLITIKA SËMURET, SHTETI MBETET PENG DHE POPULLI NË PRITJE
Sindroma kosovare e përsëritjes së zgjedhjeve dhe pamundësia e formimit të institucioneve
„Kur themelet e shtëpisë kalben, s'ka stoli fasade që ta
shpëtojë atë nga rrëzimi.“ - Proverb!
Sëmundja si metaforë e para-politike
Ka sëmundje që preken me dorë dhe ka sëmundje që preken
vetëm me mendje. Trupi njerëzor, kur sëmuret, dërgon shenja: ethe, dhimbje,
lodhje. Trupi i shtetit, përkundrazi, e fsheh sëmundjen e vet pas ceremonive,
pas deklaratave, pas fjalimeve që flasin për stabilitet teksa çdo qelizë
institucionale po shpërbëhet ngadalë.
Politika, si organizëm i gjallë, ka po ashtu patologjitë
e veta: ethe zgjedhjesh, paralizë vendimmarrjeje, alergji ndaj kompromisit. Dhe
ashtu si në mjekësi, diagnoza e vonuar e bën kurën më të vështirë, ndonjëherë
të pamundur pa ndërhyrje drastike.
Platoni, në kërkimin e tij për shtetin e drejtë, e
krahasoi qytetin me shpirtin njerëzor: kur pjesët e shpirtit, arsyeja, vullneti
dhe dëshira; humbin ekuilibrin, njeriu bie në kaos të brendshëm. Po kështu, kur
pjesët e shtetit; pushteti ligjvënës, ekzekutivi dhe gjyqësori, humbin raportin
e tyre të natyrshëm, qyteti bie në një kaos që mund ta quajmë krizë
institucionale.
„Ndëshkimi që paguajnë njerëzit e mirë për mosinteresimin
ndaj politikës, është të qeverisen nga njerëz më të këqij se ata.“ - Platoni
Kjo sëmundje nuk fillon në ditën e zgjedhjeve. Ajo fillon
shumë më herët, në kohën kur politika e sheh pushtetin si qëllim në vetvete e
jo si mjet për t'i shërbyer bashkësisë. Është pikërisht atëherë që lind ajo që
mund ta quajmë metastaza e mosbesimit: qytetari fillon të dyshojë jo vetëm te
individi që qeveris, por te vetë ideja e qeverisjes si e tillë.
Shteti si peng; anatomia e një robërie të padukshme
Fjala peng mbart brenda vetes një dramë të vjetër: dikush
që mbahet kundër vullnetit të vet, në pritje të një shkëmbimi që s'vjen kurrë.
Kur themi se shteti mbetet peng, nuk flasim për pushtim të huaj, as për ushtri
që rrethon kufijtë.
Flasim për diçka më delikate e më të rrezikshme: robërinë
e institucioneve nga interesat e ngushta të atyre që duhet t'i mbanin ato të
lira.
Shteti, në kuptimin e tij më të thellë, është një premtim
kolektiv, premtimi që një popull ia bën vetvetes për të jetuar sipas rregullave
të përbashkëta, jo sipas fuqisë së të fortit të momentit.
Kur ky premtim thyhet vazhdimisht nga vetë ata që janë
zgjedhur për ta mbrojtur, shteti pushon së qeni shtëpi e përbashkët dhe kthehet
në peng të një beteje private, të veshur me gjuhën e interesit publik.
„Fuqia korruptonte, dhe fuqia absolute korrupton absolutisht.“ - Lord
Acton
Max Weber, sociologu gjerman që studioi thellë natyrën e
pushtetit, dallonte mes politikanit që jeton për politikën dhe politikanit që
jeton nga politika.
I pari e sheh detyrën si mision, i dyti si burim jetese e
privilegjesh. Kur një klasë e tërë politike kalon nga kategoria e parë në të
dytën, institucionet fillojnë të funksionojnë si mekanizma vetë-shërbimi, jo si
shërbyese të qytetarit.
„Politika është arti i të bërit të mundur atë që është e
nevojshme.“ - Otto von Bismarck
Por çfarë ndodh kur politika bëhet arti i të bërit të
pamundur pikërisht atë që është e nevojshme, formimin e një qeverie, votimin e
një buxheti, emërimin e gjyqtarëve? Atëherë arti kthehet në karikaturë të
vetvetes, dhe shteti, në vend që të jetë subjekt që vepron, bëhet objekt që
pritet të veprohet mbi të.
Ka edhe një aspekt tjetër të kësaj robërie që meriton
vëmendje: robëria e gjuhës.
Kur institucionet dështojnë të funksionojnë, gjuha
politike fillon të zëvendësojë realitetin me performancën e tij.
Fjalët si bashkëpunim, dialog, konsensus, përsëriten deri
sa humbasin çdo lidhje me veprimin konkret, duke u kthyer në rituale verbale që
maskojnë mungesën e vullnetit real për t'i zbatuar ato.
George Orwell e vërejti me mprehtësi se degradimi i
gjuhës politike shpesh shërben pikërisht për ta bërë të pamundur mendimin e
qartë mbi realitetin që gjuha duhet ta përshkruajë.
„Gjuha politike është krijuar për t'i bërë gënjeshtrat të
duken të vërteta.“ - George Orwell
Populli në pritje: psikologjia e një kohe të pezulluar
Psikologjia e traumës flet për një fenomen që mund ta
quajmë pritje e zgjatur pa horizont, gjendja kur dikush pret diçka pa ditur as
kur, as si do të vijë ajo.
Kjo gjendje prodhon më shumë ankth se vetë fatkeqësia e
pritur, sepse mendja njerëzore mund ta përballojë dhimbjen kur e njeh formën e
saj, por vuan pafundësisht kur dhimbja mbetet pa formë, pa fund, pa emër.
Populli që pret zgjedhje të reja, qeveri të re,
institucione që funksionojnë, jeton pikërisht në këtë gjendje pezullimi
psikologjik. Nuk është pritja e atij që beson se e mira do të vijë; është
pritja e atij që ka mësuar, nga përvoja e përsëritur, të mos presë më asgjë,
por vazhdon të presë sepse s'ka zgjidhje tjetër.
Psikologët e njohin këtë si pafuqi të mësuar: kur
përpjekjet e njëpasnjëshme dështojnë, organizmi; qoftë individ, qoftë popull,
mëson të mos përpiqet më, edhe kur mundësia për ndryshim ekziston ende diku.
Samuel Beckett e kapi këtë gjendje me një dramë të vetme:
dy njerëz që presin dikë që nuk vjen kurrë, por që nuk largohen kurrë nga vendi
i pritjes, sepse largimi do të thoshte pranim i plotë i zbrazëtisë.
Populli që pret zgjedhje pas zgjedhjesh, qeveri pas
qeverie, e jeton këtë absurditet çdo ditë: e di që pritja mund të mos sjellë
asgjë, e megjithatë nuk largohet nga kutia e votimit, sepse largimi do të ishte
vdekja e fundit e shpresës.
„Njeriu është i dënuar të jetë i lirë.“ - Jean-Paul
Sartre
Kjo liri e dënuar është pikërisht ajo që politika e
sëmurë përpiqet ta mohojë: duke e mbajtur popullin në pritje të përhershme,
klasa politike e privon qytetarin nga përgjegjësia e zgjedhjes reale, duke ia
zëvendësuar atë me përsëritjen e një rituali bosh, votimi që nuk prodhon më vendim, por vetëm
konfirmon paralizën.
Jean-Jacques Rousseau e ndërtoi tërë filozofinë e tij
politike mbi idenë e kontratës sociale, bindjen se shoqëria e ligjshme lind
vetëm kur individët heqin dorë vullnetarisht nga një pjesë e lirisë natyrore
për të fituar në këmbim mbrojtjen dhe drejtësinë e bashkësisë.
Por çfarë ndodh kur kjo kontratë nënshkruhet formalisht,
në letër, në kushtetutë, por nuk zbatohet në shpirt?
Atëherë populli vazhdon të japë votën, pjesën e tij të
lirisë, pa marrë kurrë në këmbim atë
siguri institucionale që kontrata i premtonte.
„Njeriu lind i lirë, e kudo është në zinxhirë.“ -
Jean-Jacques Rousseau
Zinxhirët e sotëm nuk janë gjithmonë të dukshëm si robëri
e hapur; shpesh ata janë të padukshëm si pritje e pafund, si votë e përsëritur
pa fryt, si besim i dhënë e i tradhtuar sistematikisht. Populli mbetet
formalisht sovran, çdo kushtetutë e thotë këtë me gojë të plotë, por
praktikisht i zhveshur nga mundësia për ta ushtruar atë sovranitet përmes
institucioneve që funksionojnë.
Sindroma e përsëritjes; Sizifi elektoral
Miti i Sizifit, ashtu siç e rilexoi Albert Camy-s, tregon
historinë e një njeriu të dënuar të ngjisë përjetësisht një gur në majë të
malit, gur që rrokulliset përsëri poshtë sapo mbërrin në krye.
Camy e pa në këtë mit jo vetëm dënimin, por edhe kushtin
e vetë ekzistencës njerëzore: përsëritja pa kuptim të dukshëm, dhe nevoja për
t'i dhënë asaj përsëritjeje një kuptim me forcë vullneti.
„Duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur.“- Albert
Camus
Por ka një ndryshim thelbësor mes Sizifit të Camys dhe
popullit që përsërit zgjedhje pas zgjedhjesh pa formuar institucione: Sizifi e
di se guri do të rrokulliset, dhe në atë dije gjen një farë lirie tragjike.
Populli, përkundrazi, shkon te kutia e votimit me
shpresën, jo me sigurinë, se këtë herë guri do të qëndrojë në majë.
Është pikërisht kjo shpresë e përsëritur, e zhgënjyer dhe
e rilindur, që e bën sindromën e përsëritjes së zgjedhjeve aq të dhimbshme
psikologjikisht: ajo nuk lejon as pranimin stoik të Sizifit, as ndryshimin real
që do ta shpëtonte nga cikli.
Në kuptimin klinik, përsëritja e pazgjidhur e një
konflikti, kur i njëjti model dështimi rishfaqet pa u zgjidhur shkaku themelor,
njihet si përsëritje kompulsive.
Sigmund Freud vërejti se njeriu, kur nuk arrin ta
përpunojë traumën fillestare, priret ta rikrijojë atë situatë pa e kuptuar
plotësisht pse.
Kombet, si organizma kolektive të kujtesës, mund ta
pësojnë të njëjtin fenomen: kur trauma themeluese e shtetit; pasiguria, ndarjet
e brendshme, mosbesimi mes palëve, nuk përpunohet përmes institucioneve të
forta, ajo rishfaqet vazhdimisht në formën e krizave elektorale identike, sikur
kombi vetë të mos dijë të dalë nga një skenar i shkruar më parë.
Zgjedhjet, në kushte normale, janë mekanizmi më i
civilizuar që njerëzimi ka gjetur për të zgjidhur konfliktin e pushtetit pa
dhunë.
Por kur zgjedhjet përsëriten pa prodhuar qeverisje, ato
pushojnë të jenë zgjidhje dhe bëhen vetë simptoma e sëmundjes: një ethe
periodike që e lodh trupin politik pa e shëruar atë.
Nga pikëpamja e psikologjisë klinike, ekziston edhe një
shpjegim tjetër, më i thjeshtë por jo më pak i thellë, për përsëritjen e
krizave: fenomeni i njohur si përshtatje me disfunksionin.
Familjet që jetojnë gjatë brenda një marrëdhënieje të
dëmshme shpesh e normalizojnë atë dëm, deri sa vetë anëtarët e familjes
fillojnë ta konsiderojnë kaosin si gjendje normale, madje edhe të rehatshme,
sepse e njohin mirë atë, ndërkohë që stabiliteti i vërtetë, i panjohur, u duket
i frikshëm, si territor pa hartë.
Diçka e ngjashme mund të ndodhë me një bashkësi politike:
pas mjaft ciklesh krize, vetë kriza bëhet e njohur, pothuajse rehatshme në
trishtimin e saj, ndërsa stabiliteti institucional, i pashijuar prej kohësh,
kthehet në një ide abstrakte, gati të huaj.
Pamundësia e formimit të institucioneve: kriza e
legjitimitetit
Thomas Hobbes, në Leviathan, e përshkroi shtetin si një
trup artificial të krijuar për t'i dhënë fund luftës së të gjithëve kundër të
gjithëve.
Për Hobbes, pa një autoritet të njohur e të pranuar nga
të gjitha palët, njerëzimi bie në atë që ai e quajti gjendje natyrore, një kaos
ku jeta është, siç e përshkroi ai vetë, e vetmuar, e varfër, e keqe, brutale
dhe e shkurtër.
„Marrëveshjet pa shpatë janë vetëm fjalë, pa fuqi për të
siguruar njeriun aspak.“- Thomas Hobbes
Pamundësia për të formuar institucione nuk është thjesht
mospajtim teknik mbi ndarjen e postesh.
Ajo është, në thelb, mungesa e një marrëveshjeje
themelore mbi vetë rregullat e lojës, një krizë legjitimiteti që bën që çdo
palë ta shohë tjetrën jo si kundërshtar legjitim brenda sistemit, por si
kërcënim ndaj vetë ekzistencës së saj politike.
Hannah Arendt vërente se pushteti i vërtetë nuk vjen nga
dhuna apo nga numrat e thjeshtë, por nga aftësia e njerëzve për të vepruar së
bashku drejt një qëllimi të përbashkët.
„Pushteti korrespondon me aftësinë njerëzore jo thjesht
për të vepruar, por për të vepruar në mënyrë të koordinuar.“ - Hannah Arendt
Kur kjo aftësi për veprim të koordinuar mungon, kur çdo
palë e sheh institucionin si trofe për t'u pushtuar e jo si shtëpi për t'u
ndarë, atëherë as shumica matematikore, as ligji formal, nuk mjaftojnë për të
prodhuar një qeveri funksionale.
Numrat bëhen armë retorike, jo bazë bashkëpunimi, dhe
salla e parlamentit kthehet në fushëbetejë ku fitorja simbolike vlen më shumë
se qeverisja reale.
Montesquieu, arkitekti i ndarjes së pushteteve, e paralajmëroi botën
se liria politike nuk mund të ekzistojë atje ku i njëjti organ mbledh në duart
e veta funksione që duhet të kontrollojnë njëri-tjetrin.
Por ai gjithashtu e kuptoi se ndarja formale e
pushteteve, pa një kulturë politike që e respekton frymën e asaj ndarjeje,
mbetet arkitekturë bosh, një ndërtesë e bukur pa banorë që dinë të jetojnë
brenda saj.
John Locke, një tjetër arkitekt i mendimit liberal modern, e
kushtëzoi legjitimitetin e çdo qeverie me pëlqimin e të qeverisurve dhe me
detyrimin e saj themelor për t'u shërbyer atyre.
Kur qeveria, ose në rastin tonë, vetë procesi i formimit
të saj dështon sistematikisht të prodhojë atë shërbim, Locke do të thoshte se
lidhja e besimit mes qytetarit dhe pushtetit është shkëputur, edhe nëse forma e
jashtme e institucioneve mbetet e paprekur.
„Aty ku mungon ligji, nuk ka liri.“- John Locke
Por mungesa e ligjit që Locke e kishte
parasysh nuk është domosdoshmërisht mungesa e teksteve ligjore; kushtetuta
ekziston, ligji zgjedhor ekziston, procedurat parlamentare janë shkruar deri në
detajin më të vogël.
Mungesa e vërtetë është ajo e zbatimit të vullnetshëm, e
frymës që i jep jetë shkronjës së ligjit.
Një shtet mund të ketë tekstin më të përsosur kushtetues
dhe të mbetet, njëkohësisht, funksionalisht i paralizuar, sepse teksti vetëm
nuk mund ta detyrojë vullnetin politik të bashkëpunojë.
Kujt i shërben paralizia? Psikologjia e përfitimit nga
kaosi
Çdo krizë e zgjatur ka përfituesit e vet të fshehur, edhe
kur në sipërfaqe duket se të gjithë humbasin.
Paralizia institucionale, sado e dëmshme për qytetarin e
zakonshëm, mund të jetë strehë e përsosur për ata që kanë frikë nga
llogaridhënia, nga auditimi, nga drejtësia që funksionon. Sa më gjatë vazhdon
pasiguria, aq më gjatë shtyhet momenti kur dikush duhet të përgjigjet për
vendimet e marra, apo për ato që s'janë marrë fare.
„Ai që lufton përbindësha duhet të ketë kujdes që në atë
proces të mos bëhet vetë përbindësh.“- Friedrich Niçe
Ky paralajmërim i Niçe merr një kuptim të veçantë në
kontekstin e krizave politike të përsëritura: ata që e denoncojnë sëmundjen e
sistemit mund të bëhen, pa e kuptuar, pjesë e së njëjtës patologji, nëse e
përqafojnë të njëjtën logjikë përjashtimi dhe fitoreje me çdo kusht që e ka
shkaktuar krizën në radhë të parë. Politika e sëmurë nuk njeh vetëm fajtorë të
jashtëm; ajo riprodhon veten përmes çdo aktori që hyn në lojën e saj pa e
sfiduar vetë logjikën e lojës.
Niccolò Machiavelli, i keqkuptuar shpesh si apologjet
cinik i pushtetit të çfarëdo kostoje, ishte në thelb një diagnostikues i ftohtë
i sëmundjeve politike të kohës së tij. Ai e dinte se principata e
paqëndrueshme, e ndarë nga brenda, bëhet plaçkë e lehtë, jo domosdoshmërisht
për armikun e jashtëm, por për vetë ambiciet e brendshme që gjejnë hapësirë në
zbrazëtinë e pushtetit.
„Nuk ka asgjë më të vështirë për t'u ndërmarrë, më të
rrezikshme për t'u drejtuar, apo më të pasigurt për të pasur sukses, sesa të
marrësh drejtimin e futjes së një rendi të ri të gjërave.“- Niccolò
Machiavelli
Rrugëdalja: nga pritja pasive te përgjegjësia aktive
Nëse sëmundja politike ka një metaforë, ka edhe një
shpresë kurimi, sepse asnjë diagnozë, sado e rëndë, nuk është dënim
përfundimtar.
Historia e kombeve tregon se krizat më të thella
institucionale janë kapërcyer jo përmes zgjedhjes së njëpasnjëshme të të
njëjtave rrugë, por përmes një momenti të vetëdijshëm kolektiv, kur qytetarët
dhe udhëheqësit vendosin ta ndryshojnë vetë logjikën e lojës.
„Ju s'mund ta zgjidhni një problem me të njëjtin mendim
që e krijoi atë.“- Albert Einstein
Václav Havel, dramaturgu që u bë president në një nga
transformimet më dramatike politike të shekullit njëzet, e kuptoi se rikthimi i
shpresës në një sistem të sëmurë nuk fillon me ndryshimin e ligjeve, por me
ndryshimin e mënyrës si njerëzit jetojnë brenda së vërtetës, jo brenda
gënjeshtrës së pranuar heshtazi.
„Shpresa nuk është bindja se diçka do të dalë mirë, por
siguria se diçka ka kuptim, pavarësisht se si del.“ - Vaclav Havel
Kjo është, ndoshta, mësimi më i thellë psikologjik për
një popull që jeton në pritje: shpresa e vërtetë nuk varet nga rezultati i
menjëhershëm i zgjedhjes së radhës, por nga vendosmëria për të mos hequr dorë
nga kërkimi i kuptimit qytetar, edhe kur çdo cikël elektoral duket se përsërit
të njëjtin dështim.
Nelson Mandela, njeriu që kaloi njëzet e shtatë vjet në burg për një
ide të drejtësisë, e dinte më mirë se kushdo se ndryshimi institucional kërkon
durim që s'ngatërrohet me pasivitet, dhe forcë që s'ngatërrohet me hakmarrje.
„Është e lehtë të thyesh dhe të shkatërrosh. Heronjtë
janë ata që ndërtojnë paqe dhe institucione.“- Nelson Mandela
Winston Churchill, në një nga momentet më të errëta të
shekullit njëzet, e mbrojti demokracinë jo si sistem të përsosur, por si
sistemi më pak i keq mes gjithë alternativave të tjera që njerëzimi ka provuar.
Ky realizëm, pranimi se asnjë sistem s'është i shenjtë,
por disa sisteme prodhojnë më pak dëm se të tjerët, është pikërisht ai që i
mungon shpesh diskursit politik të krizave të zgjatura, ku secila palë kërkon
një fitore absolute në vend të një kompromisi funksional.
„Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të
gjitha formave të tjera që janë provuar herë pas here.“- Winston Churchill
Immanuel Kant, në reflektimet e tij mbi paqen dhe qeverisjen,
argumentonte se progresi politik i njerëzimit nuk vjen përmes një salti të
papritur drejt përsosmërisë, por përmes një procesi të ngadalshëm, të
mundimshëm, ku institucionet mësohen dora-dorës të mbizotërojnë mbi impulset e
çastit.
Kjo pikëpamje na kujton se as shërimi i një sistemi
politik nuk është ngjarje e vetme, spektakolare, por proces, një sërë vendimesh
të vogla, të përsëritura me këmbëngulje, që gradualisht e zëvendësojnë logjikën
e konfliktit me logjikën e bashkëpunimit.
„Nga druri i shtrembër i njerëzimit, asgjë krejt e drejtë
nuk mund të ndërtohet.“- Immanuel Kant
Ky realizëm kantian nuk është arsye për rezignim, por
ftesë për durim strategjik: të pranosh se njerëzimi dhe çdo shoqëri konkrete
brenda tij, mbetet përgjithmonë i papërsosur, dhe pikërisht për këtë arsye ka
nevojë edhe më të madhe për institucione të forta, që e kompensojnë dobësinë
individuale me strukturë kolektive të qëndrueshme.
Shërimi i një sistemi politik të sëmurë nuk vjen kurrë
nga jashtë, si recetë e importuar. Ai vjen kur brenda vetë klasës politike lind
një numër i mjaftueshëm aktorësh që e vendosin qëndrueshmërinë e shtetit mbi
interesin e ngushtë partiak dhe kur qytetarët, nga ana e tyre, kalojnë nga
pritja e heshtur në kërkesën aktive, të vazhdueshme, të argumentuar për
llogaridhënie.
Pasqyra që s'gënjen
Në fund të çdo diagnoze filozofike qëndron një e vërtetë
e thjeshtë e vështirë për t'u pranuar: shteti nuk është një entitet i huaj që
na bie mbi kokë nga jashtë, si mot i keq apo fatkeqësi natyrore. Shteti është
pasqyra kolektive e asaj që jemi të gatshëm ta tolerojmë, ta kërkojmë dhe ta
ndërtojmë së bashku.
Kur politika sëmuret, shteti mbetet peng jo vetëm i atyre
që e mbajnë peng, por edhe i heshtjes së atyre që mund ta lironin dhe nuk e
bëjnë. E populli, në pritje, nuk është thjesht viktimë pasive e një drame që i
ndodh atij; është, në thelb, autori i heshtur i çdo skene që përsëritet, sepse
çdo herë që zgjedh të mos kërkojë llogari, e rishkruan të njëjtin skenar për
herën tjetër.
„Populli që s'e mëson historinë e vet është i dënuar ta
përsërisë atë.“ - George Santayana
Ekziston edhe një kënd i fundit nga i cili duhet parë kjo
dramë: ai i marrëdhënies mes kohës historike dhe kohës politike.
Koha historike e një kombi matet me shekuj, me përpjekje
kolektive që zgjasin brez pas brezi; koha politike, përkundrazi, matet me
mandate katërvjeçare, me cikle zgjedhore që kërkojnë rezultate të menjëhershme.
Kur kjo hendek mes dy llojeve të kohës bëhet tepër i
thellë, politikanët fillojnë të veprojnë vetëm për ciklin e ardhshëm elektoral,
ndërsa kombi humbet horizontin e tij afatgjatë.
Rindërtimi i institucioneve kërkon pikërisht kundërvënien
e këtij impulsi: guximin për të vepruar për kohën historike, edhe kur çmimi
politik i menjëhershëm mund të jetë i lartë.
Ndoshta kjo është dhurata e fshehur brenda çdo krize të
përsëritur: mundësia për ta lexuar sërish veten, për ta njohur simptomën jo si
fat, por si thirrje.
Sëmundja politike, sado e rëndë, nuk është kurrë kronike
përgjithmonë, përveçse në ato raste kur ata që duhet ta shërojnë, vendosin ta
jetojnë me të, sepse dhimbja e saj u ka mësuar tashmë të fitojnë nga kaosi.
Detyra e çdo brezi që beson ende në mundësinë e shërimit
është ta ndërpresë atë përshtatje të rrezikshme, para se sëmundja të bëhet
identitet.
„Ne nuk mund ta zgjedhim familjen ku lindim, por mund ta
zgjedhim shtetin që ndërtojmë.“- Konrad Adenauer, i përshtatur nga fryma e
mendimit të tij politik
Epilog
Çdo popull që ka mbijetuar një histori të gjatë sfidash e
mban brenda vetes një dije të lashtë: se as sëmundja më e rëndë nuk është kurrë
fjala e fundit e trupit të gjallë, përderisa ende ka diçka brenda tij që
refuzon ta pranojë atë si gjendje të përhershme.
Kosova, si çdo shtet i ri që ende po e mëson gjuhën e vet
institucionale, ka mundësinë, jo garancinë, por mundësinë, ta shndërrojë çdo
krizë të përsëritur në një hap drejt pjekurisë, në vend që ta lërë atë të
ngurtësohet në identitet të përhershëm dëshpërimi.
Rruga nga pritja pasive drejt përgjegjësisë aktive nuk
kalon nëpër një zgjedhje të vetme, sado historike të jetë ajo, por nëpër
vendosmërinë e përditshme, të heshtur e të vazhdueshme, të një populli që
refuzon ta harrojë se shteti është, para se të jetë çdo gjë tjetër, vepër e
duarve të tij.
2026

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen